Kongo/ Presidenti Tshisekendi nuk përjashton një luftë me Ruandën

schedule17:30 - 3 Maj, 2024

schedule 17:30 - 3 Maj, 2024

Presidenti i Republikës Demokratike të Kongos, Felix Tshisekendi, beson se lufta me Ruandën mund të fillojë, pasi luftimet e rënda kanë vazhduar për muaj të tërë midis ushtrisë dhe rebelëve M23, të cilët mbështeten nga ai vend.

“Natyrisht, një luftë është e mundur, nuk po jua fsheh”, tha Tshisekendi në një intervistë të dhënë për gazetën franceze Figaro.

“Ky vend (Ruanda), i cili është fqinji ynë, shkel territorin tonë për të grabitur minerale kritike dhe për të terrorizuar popullsinë tonë”, tha presidenti kongolez, duke denoncuar “mosveprimin e komunitetit ndërkombëtar”.

DR Kongoja ka bërë thirrje për vendosjen e sanksioneve ndaj Ruandës.

Kigali mohon përfshirjen, por shumë vende, duke përfshirë SHBA-në dhe Francën, besojnë se Ruanda mbështet grupin M23 dhe ka dërguar forca në kufijtë e saj.

M23 nuk është gjë tjetër veçse një guaskë e zbrazët! Ai numëron rreth 500 burra. Jo, ushtarët e Ruandës janë ata që mbjellin vdekjen në tokën tonë”, tha Tshisekendi. Javën e kaluar presidenti kongolez bëri një vizitë zyrtare në Francë dhe beson se ka siguruar mbështetjen e Parisit, i cili megjithatë ruan marrëdhënie të mira me Ruandën.

Unë dua ta heq këtë mundësi (të luftës) sa më shumë që të jetë e mundur, sepse më mirë do t’i kushtoja energjinë dhe pasurinë tonë zhvillimit të 145 rajoneve të vendit sesa përpjekjeve ushtarake,” vazhdoi Tshisekendi .

Kur u pyet nëse do të pranonte të fillonte bisedimet me homologun e tij nga Ruanda, Paul Kagame, ai kujtoi se Angola tashmë po ndërmjetëson për këtë qëllim. “Delegacionet tona do të takohen brenda ditëve të ardhshme në Luanda për të gjetur një bazë të përbashkët mirëkuptimi. Unë kërkoj një gjë të thjeshtë: që Ruanda të tërheqë ushtarët e saj nga territori kongolez”./abcnews.al