Champions League/ “Klasike” evropiane në gjysmëfinale, Bayern e Real gati për “betejën” e Mynihut

schedule11:56 - 30 Prill, 2024

schedule 11:56 - 30 Prill, 2024

Se kush janë këto dy skuadra, e tregon historia. Kur vjen puna, tek elita e skuadrave evropiane, “Bavarezët” e Bayern Munich dhe “Galaktikët” e Real Madrid përbëjnë padyshim “ajkën e ajkës” të futbollit dhe fati e deshi përsëri që të ishin përballë në gjysmëfinalen e kompeticionit, më spektakolar për klube, në këtë sport, UEFA Champions League.

Ashtu, si përballja, Real Madrid-Manchester City, edhe kjo e mbrëmjes së kësaj të marte, mund të konsiderohet një “finale” e parakohshme, këtë sezon, me dy “gjigantët” e “Kontinetit të Vjetër”, që do të zbresin, në fushën e “mitikut” gjerman, “Allianz Arena”, në orën 21:00, në duelin e parë, të kësaj faze, duel që vazhdon “traditën” e gjatë 70-vjeçare, në përballje këtyre dy ekipeve.

Sa i përket historisë, “Los Blancos” kanë më shumë kualifikime, 7 ndaj 5 të “Bavarezëve”, madje tre i kanë arritur radhazi, ku triumfi më i fundit erdhi në edicionin 2011-2012, sidoqoftë, “gjigantët” e Bundesliga kanë bilanc më të mirë në përballjet direkt, me 12 fitore ndaj 11 të rivalit, duke regjistruar edhe golavarazhin 41-39.

Megjithatë, kësaj here favorit për të arritur finalen e madhe, të “Wembley” janë padyshim “Galaktikët”, pavarësisht se vendasit kanë një mungesë të rëndësishme, siç është edhe “tulipani” i mbrojtjes, Matthijs De Ligt, megjithatë të tjerët janë gati, me “bomberin”, Harry Kane, i cili udhëheq sulmin, ndërsa “lideri”, Joshua Kimmich pritet të ketë një duel të zjarrtë, me Vinicius në krahun e djathtë, por pavarësisht së gjithave, tekniku, Thomas Tuchel, nuk i druhet 14 herë fituesve, të trofeut.

“Ne duhet të jemi mirë taktikisht, duhet edhe të kemi fat, por sidomos të jemi të qetë mendërisht. Sa më e madhe është skena, sa më e madhe është përgjegjësia, aq më I madh është presioni. Taktika është e rëndësishme, por po ashtu mentaliteti. Taktika është si një makinë, por këtë makinë e drejtojnë lojtarët. Duhet të gjejmë ekuilibrin e duhur, duhet të gjejmë zgjidhjet tona. Lojtarët duan që të kenë një plan, por po ashtu duan të kenë lirinë për ta jetuar ndeshjen siç duan. Gjithsesi, siç e thatë ju, në këto ndeshje luan shumë rol fati”,- u shpreh strategu gjerman, gjatë konferencës për shtyp.

Në krahun tjetër, në radhët e “Los Blancos”, nuk ka ndonjë mungesë të madhe, edhe pas Carvajal është i pezulluar, pas plotësimit të numrit të kartonëve, në sfidën e fundit, ndaj Manchester City, megjithatë tekniku Carlo Ancelotti duket se e ka bërë gati formacionin e titullarëve, ku padyshim rikthimi i Jude Bellingham, i jep goxha besim italianit në një triumf të madh, gjë të cilën e tregoi edhe në konferencën për shtyp, ku nuk muguan as elozhet për kundërshtarin.

“Ne kemi besim tek vetja jonë, por gjithashtu kemi respekt për kundërshtarin, që ndoshta nuk pati një sezon të shkëlqyer në Bundesliga, por që ishte spektakolar në duelin ndaj “Topçinjve”, të Arsenal. Bayern luajti mirë në të dyja ndeshjet, dhe ne duhet ta kemi parasysh këtë, sepse Arsenal është një nga skuadrat më të mira të Evropës. Ata kanë cilësi, kanë histori pak a shumë si Reali dhe historia vlen shumë në Champions”,- u shpreh “Don Carlo”, një ditë para sfidës.

Siç theksuam edhe në rreshtat e mësipërim, “Galaktikët” janë favoritët absolut, si në arritjen e kualifikimit, për në finalen e madhe, të “Wembley”, por edhe në fitimin total të këtij kompeticioni, me Vinicius Junior, Rodrygo e Jude Bellingham, që premtojnë spektakël, në “Allianz Arena”, mirëpo një gjë është e sigurt, teksa historia se duelet, me “Bavarezët” janë gjithmonë të paparashikueshme. /i.m /abcnews.al