Autoritetet bjelloruse shpallën këtë të hënë shërbimin bjellorus të medias shtetërore gjermane Deutsche Welle një organizatë ekstremiste dhe ndaluan aktivitetet e saj në vend.
Njoftimi do të thotë se kushdo që prodhon përmbajtje për shërbimin bjellorus të Deutsche Welle mund të përballet me deri në shtatë vjet burg. Kushdo që lexon dhe ritransmeton artikuj të Deutsche Welle-s mund të shpallet fajtor për një kundërvajtje ose një krim.
Drejtori i përgjithshëm i Deutsche Welle, Peter Limburg, kritikoi vendimin, duke vlerësuar se akuzat ndaj mediave janë të pabaza dhe nuk pasqyrojnë natyrën e vërtetë të punës së shërbimit bjellorus.
Autoritetet bjelloruse kanë shpallur tashmë 199 organizata ekstremiste dhe po e përdorin atë emërtim për të mbytur disidencën në vend. Lista përfshin shërbimin bjellorus të Radios Evropa e Lirë dhe televizionin e pavarur bjellorus Belsat, i cili transmeton në bjellorusisht nga kryeqyteti polak, Varshava.
“Situata me lirinë e fjalës në Bjellorusi është më e keqja në Evropë,” tha Andrei Bastunets, kreu i Shoqatës Bjelloruse të Gazetarëve, duke shtuar se Bjellorusia është si “Koreja e Veriut e Evropës”.
Shërbimi bjellorus i Deutsche Welle është i vendosur në Bon dhe shtëpia mediatike financohet nga qeveria gjermane.
Sipas Shoqatës Bjelloruse të Gazetarëve, aktualisht janë 36 gazetarë në burg në Bjellorusi./abcnews.al