Presidencialet në RMV/ Mehmeti: Opozita shpresoi tek autoriteti i Kurtit, por çmimin për përçarjen e paguajnë votuesit shqiptarë!

schedule16:23 - 25 Prill, 2024

schedule 16:23 - 25 Prill, 2024

Analisti Ibrahim Mehmeti në një intervistë në “Ballkan Update” në ABC News, foli për zgjedhjet presidenciale të mbajtura në Maqedoninë e Veriut.

Ai shpjegoi se në rast se kandidatët shqiptarë do të ishin të bashkuar atëherë do të shkonin në balotazh, ndërsa nënvizoi se çmimin për këtë situatë të krijuar e paguajnë votuesit shqiptarë.

Mehmeti nuk la pa përmendur edhe ndikimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti duke thënë se nuk solli asgjë tjetër, veçse përçarjen.

“Shqiptarët po të ishin të bashkuar do të shkonin në balotazh. Ky rezultat ndodhi për shkak të përçarjes dhe çmimin për këtë nuk e paguan vetëm votuesit shqiptarë. Por mendoj se edhe opozita shqiptare që i vari të gjitha shpresat mbi autoritetin e kryeministrit të Kosovës. Sidomos në aspektin ndërtimit të një koalicioni. Si Taravari dhe Osmani, llogaritë i kanë bërë për hesapin e tyre. Ne e kemi thënë se ato duhet të mbështeten mbi forcat e veta. Por u gjetën në një ndjenjë superioriteti të rrejshëm që ndoshta u hoqi një pjesë të kreativitetit politik dhe i solli në një disfatë që mund t’u kushtojë shumë, jo vetëm në këtë zgjedhje”, tha më tej Mehmeti.

/abcnews.al/