Ministri i shoqerisë informatike dhe administratës në Maqedoninë e Veriut, Naim Bajrami thotë se koalicioni Fronti Europian, me kandidat Bujar Osmanin për president, pret rezultat masiv në zgjedhjet e së mërkurës.
Për ABC News, Bajrami u shpreh se qytetarët e kanë pranuar këtë koalicion dhe do të ketë mbështetje për Bujar Osmanin.
“Presim rezultat të mirë. Presim një mbështetje masive nga qytetarët, e kanë pranuar këtë koalicion. Presim një rezultat masiv, madhor për Frontin Evropian. Mendoj se ia kemi arritur qëllimit që të ngrejmë vetëdijen te qytetarët, do të arrijmë maksimimin e votave te shqiptarët por edhe të përfaqësimit nga të gjitha komunitetet”, theksoi Naim Bajrami.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtë vote kanë 1.814.317 votues, të cilët duhet të zgjedhin mes shtatë kandidatëve për president të Maqedonisë së Veriut.
Partitë shqiptare garojnë me dy kandidatë. Fronti Evropian, nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) garon me Bujar Osmanin, ministrin aktual të Punëve të Jashtme. Opozita e bashkuar shqiptare, që përbën koalicionin VLEN, merr pjesë në zgjedhje me Arben Taravarin, kryetarin aktual të komunës së Gostivarit./abcnews.al