Humbja në derbi ishte padyshim mjaft e rëndë për Milanin e Stefano Piolit, që pa zikaltyrit e Interit të festonin para tifozerisë kuqezi triumfin edhe zyrtarisht në Serinë A për herë të 20 në histori.
E pikërisht për këtë arsye, tensioni ishte i kuptueshëm në fushë, me kuqezinjtë që pasojat e derbit do t’i vuajnë jo pak edhe fundjavën e ardhshme, kur të përballen me Juventusin në “Allianz Stadium”.
Kjo pasi Fikayo Tomori u ndëshkua me karton të verdhë dhe plotësoi numrin, ndaj nuk do të udhëtojë me skuadrën drejt Torinos.
Fatin e tij do të kenë edhe Theo Hernandez e Davide Calabria, të cilët u ndëshkuan me karton të kuq në minutat e fundit, pas tensioneve në fushë, pikërisht në prag të nisjes së festës zikaltër.
Në këto kushte Stefano Piolit do t’i duhet të arnojë prapavijën për ndeshjen ndaj Juventusit, pasi nuk do të ketë në dispozicion plot tre nga titullarët e mbrojtjes, mungesa e të cilëve pritet të ndihet jo pak në fushën e blertë.
Sfida Juventus-Milan do të jetë mjaft e rëndësishme në garën për vendin e dytë të Serisë A, me bardhezinjtë që në rast të një fitoreje në përballjen direkte, do të mund të reduktonin në vetëm dy pikë distancën nga skuadra e Piolit dhe të shpresonin në një parakalim në javët e mbetura./ h.ll/abcnews.al