Ilir Meta, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, vijon turin e nderimit të figurave të shquara të sportit në vend. Sot u dekoruan katër persona, Skënder Gega, trajneri që riktheu Partizanin te titulli kampion, Iliaz Çeço, ish-lojtar i Dinamos dhe Tiranës, Faruk Sejdini, një figurë e njohur dinamovite, si dhe Gani Merja. Ky i fundit është ndarë nga jeta që prej vitit 1989 dhe është një nga ata futbollistë që ka spikatur me Partizanin në vitet ’60.
“Mes shumë emocionesh, pata sot nderin dhe kënaqësinë, të vlerësoj me Titullin “Mjeshtër i Madh” katër kampionë të futbollit shqiptar, që me dashurinë për sportin, shpirtin e ekipit, pasionin dhe krenarinë për të dhënë më të mirën për Kombëtaren Kuqezi, kanë frymëzuar gjenerata sportistësh dhe të rinjsh:
Ilias Çeçon, “dirigjentin” e madh të “Dinamos” dhe Kombëtares së viteve ’60-’70; Faruk Sejdinin, mbrojtësin e jashtëzakonshëm taktik, modern dhe inteligjent të “Dinamos” dhe ekipit Kuqezi; Skënder Gegën, futbollistin kampion të “Partizanit”, por edhe trajnerin e suksesshëm që u riktheu të kuqve pas gati çerek shekulli titullin “Kampion”;
Dhe të paharruarin Gani Merja, lojtarin e përsosur të “Partizanit” dhe ekipit Kombëtar. Çeço, Sejdini, Gega dhe Merja janë shembuj vlerash të pamohueshme për brezat e rinj, për të kuptuar se pa sakrifica, pa pasion dhe pa profesionalizëm nuk mund ketë të sukses“, shkruan Presidenti i Republikës në rrjetet sociale.
Skënder Gega është një idhull i tifozëve të Partizanit. Trajneri tropojan riktheu titullin kampion në anën e kuqe të kryeqytetit pas 26 viteve mungesë. Bashkëpunimi me “Demat” përfundoi në fund të sezonit të kaluar, ndërsa sot është vlerësuar nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.
55-vjeçari ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale, aty ku tregohet modest dhe altruist. Gega nuk i fsheh emocionet e këtij nderimi, teksa falënderon të gjithë bashkëpunëtorët me të cilin arriti suksesin e madh me “Demat e Kuq”.
“Si në çdo profesion aq më tepër në sport nuk mund të arrish asnjë sukses duke qenë i vetëm, por duke bashkëpunuar. Kam qenë me fat që jam stërvitur nga trajnerë me shumë vlera njerëzore dhe profesionale.
Kam pasur privilegjin të luaj në krah të shumë emrave të mëdhenj. Kam stërvitur dhe drejtuar lojtarë që më kanë dhëne kënaqësi dhe më kanë bërë të ndjehem krenar falë bashkëpunimit me ta. Prandaj dua t’i falënderoj të gjithë dhe t’u uroj suksese. Respekte, Skënder Gega“, shkruan trajneri tropojan. /abcnews.al