Referendumi i së dielës/ Tahiri: Të respektohet kushtetuta, Serbia luan me kartën e votave

schedule16:47 - 19 Prill, 2024

schedule 16:47 - 19 Prill, 2024

Në katër komunat në veri të Kosovës, të dielën më 21.04.2024, do të votohet pro apo kundër shkarkimit të kryetarëve shqiptarë.

Në një lidhje me Skype për emisionin “Ballkan Update”, ish-zv. kryeministri, Besnik Tahiri ka thënë se duhet të respektohet Kushtetuta e Kosovës.

Sipas tij, Serbia luan me kartën, sepse në katër komuna që shumica janë serbë po udhëheqin disa kryetarë komunash që kanë nga 100 vota ose nga 80 vota dhe kjo është jolegjitime.

“Dy çështje janë këtu, në këtë temë nuk ka qendrime partiake. Natyrisht qendrimet e partive këtu janë të njëjta se po flasim për një rrethanë të krijuar dhe të ndikuar drejtpërdrejt nga politika e Serbisë. Këtu nuk kemi fort dallime. Ne kemi pasur si aleancë një dallim dhe kemi qene kundër zgjedhjeve në atë kohë. Ne kemi thënë se procesi zgjedhor nuk ka kuptim se nuk ka kuptim që një kryetar të udhëheqë një komunë me 100 vota se është jolegjitim. Ne nuk po duam të marrim pushtetin, ne thjesht po duam të respektojmë kushtetutën tonë, njohjen e rregullit kushtetues dhe ligjor, luftimin e bandave të udhëhequra nga Radoiçiçi. Kemi disa kryetarë që janë mbyllur në zyrat e tyre dhe nuk i bëjmë dot ndonjë shërbim vendit, ndërsa Serbia luan me kartën, sepse në katër komuna që shumica janë serbë po udhëheqin disa kryetarë komunash që kanë nga 100 vota, nga 80 vota dhe kjo është jolegjitime. Është legale në aspektin e legalitetit kemi të drejtë, ndërsa në aspektin e legjitimitetit nuk është e drejtë se fitohet me demokraci. Nuk pres që të ketë sukses ky peticion dhe pres që mbas të dielës të jetë një realitet i ri që do ta trajtojë qeveria në kuvend”, deklaroi Tahiri./abcnews.al