Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për Zonën e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik (TEDA Tirana), e cila ndodhet mes Kasharit dhe Vaqarrit.
Kryebashkiaku Erion Veliaj nënvizoi se Tirana është bashkia e parë që krijon një zonë të lirë ekonomike, duke dhënë modelin edhe për shumë bashki të tjera. “Europa nuk është një nocion abstract. Nuk vjen Zana e Malit që ta bëjë Shqipërinë si gjithë Europa. Por, çdo ditë duhet të bëjmë nga një copë të vogël të Shqipërisë si gjithë Europa. Një ditë duhet bërë Sheshi Skënderbej si gjithë Europa; një ditë Parku i Liqenit; një ditë Pazari i Ri; një ditë Kalaja e Tiranës; një ditë Bulevardi i Ri; një ditë Kopshti Zoologjik, dhe tani, më në fund, kemi edhe një zonë ekonomike si gjithë Europa. Mënyra më e mirë për t’ju përgjigjur jo vetëm negociatave, por edhe aspiratave, është që çdo ditë të bëjmë atë të voglën tonë. Sot skuadrat tona po bëjnë të voglën e tyre, që edhe ajo pjesë djerrë të bëhet një hapësirë europiane”, theksoi Veliaj.
Ai deklaroi se pavarësisht debateve me të cilat është shoqëruar çdo projekt, në fund ka rezultuar i suksesshëm. “Nuk mbaj mend të kemi bërë një punë të mirë, që nuk ka pasur një skuadër tjetër që thotë: ‘Poshtë TEDA, poshtë ‘Samiu’, poshtë ‘Sheshi’, poshtë ‘Bulevardi’, poshtë ‘Parku i Lodrave’, poshtë ‘Pazari’, poshtë ‘Kalaja’, poshtë ‘Astiri’, poshtë të gjitha investimet e tjera’. Askush nuk duhet të jetë naiv, çdo punë e mirë ka kundërshtime. Ne mund të mbahemi mend si frikacakë, që nuk bëjnë asnjë punë nga histeria kolektive, ose si njerëz që kanë kurajo civile, kanë integritet profesional, kanë një vizion, dhe e dinë ku duan të shkojnë”, tha kryebashkiaku.
Veliaj komentoi edhe deklaratat politike të ditëve të fundit, teksa u shpreh se kur të shkruhet historia nuk do mbahen mend marrëzitë e ditës, por veprat që do të mbeten pas. “Me të gjitha muhabetet që keni dëgjuar me sharje publike të ca personazheve që deri dje kanë drejtuar vendin dhe që Shqipëria u ka dhënë gjithçka, ne kuptojmë se kur të shkruhet historia nuk do mbahen mend marrëzitë e ditës. Në finale do mbeten veprat! Sheshi Skënderbej do të jetë aty edhe për 100 vite të tjera. TEDA është një projekt që do t’i mbetet këtij qyteti dhe do frymëzojë bashkitë e tjera që të bëjnë një zonë të lirë ekonomike. Duke qenë se po e shkelim ne të parët, do vëmë edhe sinjalistikë që, kushdo që ta shkelë pas nesh, të dijë ekzaktësisht hapat sib ëhet dhe nesër të jetë një qytet tjetër që mund ta bëjë, si Durrësi, Elbasani, Korça, Vlora, etj”, tha Veliaj.
Ai siguroi se TEDA do të gjenerojë rreth 7 mijë vende të reja pune, që lidhen me teknologjitë e reja. “Nëse nuk pengojmë njeri-tjetrin, po ju turrëm kësaj pune me energji të mirë, dhe duke inkurajuar secilin proces, ne mund të bëjmë një punë të mrekullueshme. Ne konkurrojmë sot me Shkupin, Greqinë e Veriut, Serbinë e Jugut dhe Malin e Zi. Në këtë sens, do duhet të tregojmë pse Tirana është “nona” dhe pse Tirana është vendi ku duhet të investojmë. Mos u shqetësoni për zhurmën. Ne duhet të funksionojmë si orkestër që prodhon muzikë. Sigurisht, dikush është violinë e parë, dikush tjetër është në fund, sipas detyrave, por secili ka misionin e tij, në një vend që prodhon zhurmë dhe që zhurma merr më shumë vëmendje. Besomëni ka një minorancë të zhurmshme që do të marrë gjithë vëmendjen dhe e merr, si një kloun që del në cirk për ta duartrokitur kalamajtë. Por, asnje nuk voton një kloun që të drejtojë punët e ekonomisë dhe punësimit, shkollat, kopshtet dhe çerdhet. Puna që po bëni mund të mos jetë puna më e lëvduar, dhe më e klikuar, por është puna që do i mbetet vendit dhe do prodhojë muzikë në vend të zhurmës”, theksoi Veliaj.
Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, nënvizoi se kjo zonë përfaqëson një nismë strategjike, që duhet të shërbejë si një katalizator inovacioni, investimesh dhe zhvillimi të qëndrueshëm.
“Nëpërmjet ofrimit të infrastrukturës moderne, ku ndihmon edhe Bashkia e Tiranës, ku natyrisht do ndihmojnë edhe aktorë të tjerë të lidhur me infrastrukturën dhe proceseve të thjeshta rregullatore, të lehtësuara dhe një mjedisi të favorshëm të biznesit, do të arrihet që të kemi një pol të prodhimit dhe të zhvillimit, që do të jetë një model në rajon dhe në të gjithë vendin”, tha Gonxhja.
Përmes TEDA Tirana, qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë krijuar një stacion, ku një kompani ndërkombëtare mjafton vetëm të paraqitet tek enti zbatues, për t’u bërë pjesë e saj.