Dialog politik me kalendar, PS dhe Rithemelimi bien dakord vetëm për datat

schedule15:25 - 15 Prill, 2024

schedule 15:25 - 15 Prill, 2024

Grupi i 6 deputetëve të cilët po dialogojnë për të arritur një kompromis për reformën zgjedhore po vijon takimet, por produkti i vetëm i disa javëve punë është ky kalendar me datat se kur duhet të shqyrtohen çështjet.

Dialoguesit e Ramës dhe Berishës do ta nisin me çështje të thjeshta, si përgatitja e listës së zgjedhësve, por muaji prill do të jetë i vështirë, sidomos kur të hapen dosjet e çështjeve të vështira.

Fjala vjen kur të diskutohet zbatimi i dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Palët nuk e kanë të thjeshtë gjetjen e një formule të përbashkët se si e fiton mandatin një deputet, pas shfuqizimit që Kushtetuesja i ka bërë herësit.

PS dhe opozita edhe pse janë dakord në parim të lejojnë votën e emigrantëve në distancë, kanë ide krejt të ndryshme se si duhet bërë ajo. Vota e diasporës është një nga pikat më të vështira për kompromis.

Dialoguesit do të diskutojnë edhe për ndryshimin e Kushtetutës, pasi opozita kërkon të rikthehen koalicionet parazgjedhore. Shpresa e Berishës për të ardhur në pushtet, siç erdhi në vitin 2009.

Por nga Rama nuk po duket asnjë sinjal për të grisur këtë formulë aktualisht në fuqi, që i jep pozicion komod për të mbajtur pushtetin.

Opozita kërkon edhe rikthimin e KQZ-së në një format vendimmarrjeje me një organ kolegjial, siç ka qenë dikur. Edhe kjo, është një pikë jo e lehtë për kompromis.

Palët mund të gjejnë më lehtë dakordësi për çështje që përbëjnë shqetësim të përbashkët, si financimi i kundërligjshëm i zgjedhjeve dhe financimi i fushatave zgjedhore nga burime të huaja.

Ata kanë rënë dakord se projektligji në fjalë duhet të depozitohet në Kuvend jo më vonë se data 1 korrik, në mënyrë që Kuvendi ta miratojë përpara pushimeve verore.

/abcnews.al/