Instituti i Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut ka bërë të ditur të hënën se në javën e kaluar janë regjistruar 50 raste të reja me kollën e keqe.
Numri më i madh i të sëmurëve në periudhën 29 mars – 4 prill është regjistruar në Shkup, por raste janë raportuar edhe në Manastir, Tetovë, Gostivar, Kratovë, Veles dhe Gjevgjeli.
Në total, këtë vit jane regjistruar 399 raste me kollën e keqe.
Kolla e keqe është sëmundje që shkaktohet nga bakteri ‘bordetella pertussis’, dhe përhapet lehtësisht nga personi në person përmes spërklave nga kollitja ose teshtitja e personit të infektuar.
Fillimisht simptomat ngjajnë me ato të një ftohjeje të zakonshme, duke përfshirë teshtitjen, rrjedhjen e hundës, temperaturë të ulët dhe një kollë të lehtë, kanë theksuar nga Instituti i Shëndetit Publik, duke përmendur se një person gjatë jetës mund të preket disa herë nga kjo sëmundje.
Në bazë të të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, 239 raste gjegjësisht 59.9 për qind e të infektuarve nga kolla e keqe nuk i kanë marrë dozat e vaksinës nga kjo sëmundje ose nuk kanë dëshmi të vaksinimit.
Prandaj ky Institut ka bërë thirrje që prindërit t’i vaksinojnë fëmijët e tyre, duke thënë se vaksinat janë të sigurta dhe nuk ka vend për dyshim rreth sigurisë së tyre.