Nuk e kanë për herë të parë, dhe duket se nuk do të ndalen. Ultrasit e futbollit janë një problem i madh në të gjithë botën, e padyshim edhe në Kroaci, siç u pa në derbin e Kupës mes Hajduk Split e Dinamo Zagreb.
Në sfidën gjysmëfinale ku ishin në fushë edhe dy lojtarë shqiptarë, si Arbër Hoxha dhe Emir Sahiti, tifogrupi “Torcida” tmerroi me mijëra njerëz në stadiumin “Poljud”, të Splitit duke hyrë në fushë, teksa të tërbuar nga humbja, një pjesë e tifozëve vendas ndoqën lojtarët e Dinamo Zagreb nëpër fushë, kërcënuan këdo që i doli përpara, ndërsa huliganizmin e vazhduan edhe jashtë stadiumit.
Mjaft makina të tifozëve miq nga Zagrebi u shkatërruan, ndërsa ndëshkimi i Federatës Kroate të Futbollit fillimisht ishte mbyllja e stadiumit për publikun vendas, me skuadrën e Hajduk, që do t’i luajë ndeshjet në shtëpi pa spektatorë deri në fund të sezonit, por kjo është masë e përkohshme, sepse pritet që Komisioni i Disiplinës të jetë më i ashpër.
Shqetësimi në Kroaci është I madh, pasi dy grupet e ultrasve, ata të Hajduk dhe Dinamo, njihen për agresivitetin dhe organizimin e tyre, ndërsa besohet se kanë prapavijë politike, teksa në Split, historia e huliganizmit është e vjetër, ku në vitin e largët 1961, “Torcida”-sit sharruan shtyllat e portave dhe prenë rrjetat, pas një humbjeje në kampionat ndaj Sarajevos.
Më herët ishte sulmuar gjyqtari, ndërsa në 1970 u arrit kulmi sepse u hodhën në det makinat e tifozëve nga Beogradi, pas një ndeshjeje me skuadrën kryeqytetase, OFK.
Tifozët hodhën një kokë gjeli të prerë në gjysmëfinalen e Kupës UEFA ndaj Totenhemit në 1984, meqë simboli i klubit anglez ishte gjeli, dhe për këtë UEFA ua mbylli stadiumin, teksa nuk numërohen rastet e dhunës, dhe madje sulmet ndaj lojtarëve të tyre, ndërsa në Kroaci mendojnë se kjo ishte një ngjarje e paralajmëruar dhe se mund të priten të tjera më pas. /i.m /abcnews.al