Hekurudha Vorë-Hani i Hotit/ Përzgjidhen 6 kompani për fazën e parë të projektit

schedule14:05 - 5 Prill, 2024

schedule 14:05 - 5 Prill, 2024

SHQIPËRI- Avancon puna për projektin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Gjashtë kompani kanë kaluar fazën e parë të prokurimit për përgatitjen  e projektit.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ka bërë me dije në faqen e saj se bëhet fjalë për tre kompani italiane, një kompani turke, një kompani nga Danimarka dhe një tjetër kompani nga Greqia.

Të gjashtë kompanitë  tashmë vijojnë konkurrimin në fazën e dytë të procedurës së prokurimit. Rreth 100 milionë euro janë hua nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe pjesa e mbetur do të financohet në formë granti nga Korniza për Investime në Ballkanin Perëndimor.

Vetëm pak ditë më parë qeveria nënshkroi edhe një marrëveshje me vlerë 100 milionë euro me Bankën Europiane të Investimeve për ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit, si një nga bashkëfinancuesit e këtij projekti me vlerë totale prej 356 milionë euro.

Linja hekurudhore me gjatësi rreth 120 kilometër lidh Shqipërinë me Malin e Zi.

Linja Vorë-Hani i Hotit është pjesë e Rrjetit Trans-Europian të Transportit të BE-së që përfshin hekurudhat, rrugët ujore të brendshme, rrugët e transportit detar të shkurtër dhe rrugët për të lidhur qendrat urbane, portet, aeroportet dhe terminalet.  Hekurudha Vorë-Hani Hotit kalon në shtatë bashki dhe përshkon Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, me drejtim nga jugu në veri.