Gjyqtarët letër Sunak, kërkojnë pezullimin e shitjeve të armëve në Izrael: Mund të jemi bashkëpunëtorë në gjenocid

schedule11:59 - 4 Prill, 2024

schedule 11:59 - 4 Prill, 2024

Tre ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë në Britani janë bashkuar me rreth 600 avokatë, gjyqtarë dhe juristë duke i bërë thirrje qeverisë së vendit të ndalojë shitjet e armëve në Izrael, duke besuar se përndryshe Londra mund të jetë bashkëpunëtore në gjenocidin që po kryhet në Rripin e Gazës.

Kryeministri britanik Rishi Sunak është nën presion pasi shtatë punonjës të ndihmës, tre prej tyre britanikë, u vranë në një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës në fillim të kësaj jave.

“Sigurimi i ndihmës ushtarake dhe materialit për Izraelin mund ta bëjë Britaninë bashkëpunëtore në gjenocid, si dhe në shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar. E drejta ndërkombëtare njeh konceptin e “ndihmës dhe nxitjes” së një akti të paligjshëm,” thanë gjyqtarët dhe avokatët në letrën e tyre prej 17 faqesh.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka përshkruar akuzat për gjenocid në Rripin e Gazës si “të egër” dhe ka theksuar “angazhimin e palëkundur të vendit ndaj ligjit ndërkombëtar”.

Britania i shet Izraelit pajisje shpërthyese, pushkë sulmi dhe avionë ushtarakë, megjithëse eksportet në Izrael përfaqësonin vetëm 0.4% të totalit të eksporteve ushtarake britanike në vitin 2022.

Avokatët përmendën faktin se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë në janar i kërkoi Izraelit të merrte të gjitha masat e nevojshme për të shmangur gjenocidin në Rripin e Gazës.

Sunak i ka rezistuar thirrjeve që Britania të përfundojë menjëherë shitjet e armëve në Izrael, duke theksuar se Londra ndjek “një regjim licencimi shumë të kujdesshëm” për eksportet ushtarake, të cilit i përmbahet ende.

Por vdekja e punonjësve të ndihmës ka rritur presionin ndërkombëtar mbi Izraelin, pothuajse gjashtë muaj pas shpërthimit të luftës që filloi pas një sulmi të përgjakshëm nga Hamasi.

Më shumë se 33,000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në operacionet ushtarake izraelite në Rripin e Gazës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!