Kandidatja për kryebashkiak Gisela Gaytan u qëllua për vdekje këtë javë pasi ajo filloi fushatën e saj në qytetin meksikan Celaya në shtetin qendror Guanajuato.
Vrasja e saj është e fundit në një çmenduri vrasjesh gjatë periudhës zgjedhore 2023-2024 që ka lënë të vdekur 22 kandidatë.
Dhuna elektorale në Meksikë është rritur në këtë vit të zgjedhjeve të përgjithshme, me anëtarët e krimit të organizuar që sulmojnë dhe kërcënojnë të gjitha partitë politike.
Gaytan ishte kandidate për kryetare të bashkisë Celaya për partinë në pushtet Morena, pikërisht në një nga bashkitë më të dhunshme të vendit. Ajo sapo kishte filluar fushatën e saj kur u vra.
Sipas kandidatit të partisë Morena për Senatin në Guanajuato, Ricardo Sheffield, për kandidaten Gaytan dhe kandidatë të tjerë për zyrat lokale në shtet u kërkua mbrojtje, por pa dobi.
Në një konferencë për media, Sheffield akuzoi guvernatorin e shtetit Guanajuato, Diego Sinhue Rodriguez Vallejo, se nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshme për të mbrojtur kandidatët vendas, pasi është “shteti më i pasigurt në të gjithë Meksikën”.
Deri në muajin mars, Guanajuato u rendit si shteti më i dhunshëm në vend, duke grumbulluar 401 vrasje në tre muajt e parë të vitit. Me vrasjen e Gaytan-it, shteti ka raportuar dy atentate ndaj kandidatëve për kryetar bashkie.
Më 12 tetor të vitit 2023 u vra edhe Alejandro Lanuza Hernandez, një kandidat për kryetar bashkie të qytetit Salvatierra në Guanajuato për Partinë e Veprimit Kombëtar (PAN).
Që nga viti 2023, sulmet e shumicës nga grupet kriminale kanë qenë kundër kandidatëve për kryetar bashkie, duke llogaritur 18 nga 22 vrasje. Në një masë më të vogël ka pasur raporte për vrasje të kandidatëve për zyra federale dhe lokale.
Edhe pse të shtatë partitë politike në Meksikë kanë vuajtur nga dhuna elektorale, partia Morena ka raportuar më së shumti vrasje, me katër kandidatë të vrarë gjatë fushatës së këtij viti.
Shteti me më shumë vrasje të raportuara të kandidatëve për kryetar bashkie është Guerrero në jugperëndim të vendit me pesë kandidatë të vrarë, ndjekur nga Michoacan me tre vrasje dhe Guanajuato, Jasilco, Veracruz, Chiapas dhe Shteti i Meksikës me nga dy vrasje.
Zgjedhjet e përgjithshme në Meksikë janë planifikuar të mbahen më 2 qershor. Votuesit do të zgjedhin një president të ri për të shërbyer një mandat 6-vjeçar, të 500 anëtarët e Dhomës së Deputetëve dhe të 128 anëtarët e Senatit të Republikës.