Të denjë për Champions League, Bologna triumfon me spektakël ndaj Salernitana

schedule14:36 - 1 Prill, 2024

schedule 14:36 - 1 Prill, 2024

Herën e fundit, që morën pjesë në Champions League viti ishte 1964. “Emilianët” e Bologna janë më pranë se kurrë sigurimit të një “bilete” për fazën e grupeve, të kompeticionit më të rëndësishëm për klube, në Evropë, teksa javë pas jave po arrijnë të regjistrojnë rezultate mbresëlënëse në elitën e Serie A, rezultate që deri më tani e pozicionojnë në një vend komod në renditje.

Mesditën e kësaj të hëne, djemtë e teknikut, Thiago Motta arritën suksesin e radhës, teksa në “Stadio Renato Dall’Ara” mundën me rezultatin e thellë, 3 me 0, skuadrën e Salernitana. Golat ishin padyshim “të magjishëm”, duke filluar që nga “perlat” e Orsolini e Saelemaekers, në minutat 14’ e 44’, të pjesës së parë deri te goli i Lykogiannis, në minutën e 92’-të, për të “vulosur” rezultatin 3 me 0.

Kështu, fitorja spektakolare në javën e 30-të të kampionatit italian të futbollit e ngjit skuadrën e Bologna, në kuotën e 57 pikëve, duke vijuar të mbetet në vendin e 4-t, të tabelës, me 2 pikë më pak se “Bardhezinjtë” e Juventus, të vendit të 3-të dhe 6 më shumë se Roma e vendit të 5-të, ndërsa Salernitana mbetet në vendin e fundit, me vetëm 14 pikë, teksa mund të thuhet se pritet të jetë një nga tre ekipet, që do rikthehet në Serie B. /i.m /abcnews.al