SHQIPËRI– Pas njoftimit për bllokimin e pikave kufitare duke nisur nga mëngjesi i së martës, një numër i lartë qytetarësh janë dyndur për të lëvizur në drejtim të Greqisë.
Gazetari i ABC News, Roland Beqiraj raporton se në pikën kufitare të Kapshticës është vërejtur një fluks i shtuar automjetesh. Në disa pamje të siguruara nga ABC News, shihen qartë autokolona të gjata makinash, në pritje për të hyrë në Greqi.
Sakaq, gazetari Elidon Berberi raporton se në pikën e kalimit kufitar Kakavijë, e cila është edhe dogana me e madhe tokësore ne jug të vendit situata gjate ditës se sotme paraqitet e qetë.
Ulja e traut nga dogana greke për 48 orë si pasojë e grevës së lajmëruar nuk ka ndikuar në shtimin e lëvizjeve nga ana e qytetarëve, me përjashtim të një rritje te lehte vetëm sa i takon kamionëve.
Për 48 orët e ardhshme edhe në këtë dogane do të operohet sipas njoftimit zyrtar të palës greke, ku do te lejohen të kalojnë kufirin vetëm këmbësorët pa bagazhe apo ato të emergjencave.
Gjatë 24 orëve të fundit në doganën e Kakavijës janë regjistruar në total 4141 shtetas, nga të cilët 1708 në hyrje dhe 2433 në dalje./n.m.abcnews.al