Analiza/ Erdogan tani nuk është “i paprekshëm”, rënia e madhe elektorale e partisë AKP

schedule21:15 - 31 Mars, 2024

schedule 21:15 - 31 Mars, 2024

Pas gati 22 vitesh, partia e Erdogan bie nga 44% në 37%, duke kaluar në vendin e dytë. Rexhep Tayip Erdogan po përballet me një skenë krejtësisht të ndryshme politike pas përmbysjes së zgjedhjeve lokale, vetëm një vit pas zgjedhjes së tij të tretë si president i Turqisë.

Humbja e Stambollit dhe dy bashkive të tjera të mëdha të vendit, Ankarasë dhe Izmirit, por mbi të gjitha rënia e madhe elektorale e partisë AKP, e cila në bazë të rezultateve krahasuese është në vendin e dytë, tregon se presidenti Erdogan tani nuk është “i paprekshëm”.

Ai tashmë ka përballë një kundërshtar shumë të fortë, Ekrem Imamoglu  , i cili megjithë dobësitë dhe copëzimin e opozitës, arriti t’i japë për të dytën herë  Erdogan ‘një goditje politike’ duke fituar Bashkinë e Stambollit.

Në një betejë, të cilën Erdogan zgjodhi ta luftojë vetë si kreu i partisë së tij, duke dashur të nënvizojë rëndësinë e betejës së Stambollit për përparimin e vendit nën udhëheqjen e tij.

Rezultatet tani ‘minojnë imazhin politik’ të Erdoganit dhe paraqesin sfida serioze për të për hapat e tij të ardhshëm, që janë rishikimi i Kushtetutës dhe ndoshta zgjedhjet e parakohshme për të kërkuar një mandat tjetër pas vitit 2028.

Me faktet e reja, të konsoliduara në skenën politike të Turqisë, Erdogan vështirë se do të mund të fitojë një referendum për ndryshimin e Kushtetutës dhe do të duhet të kërkojë aleanca të reja me partitë dhe forcat e hapësirës konservatore nacionaliste dhe islamike për të pasur ndonjë shpresë për ndryshim.

Kjo ka të ngjarë ta çojë atë drejt politikave të ashpra dhe agresive, megjithëse siç rezulton “thembra e tij e Akilit” ishte ekonomia pasi ai nënvlerësoi pasojat e inflacionit të lartë në shtresat popullore që përbëjnë bazën zgjedhore.

Dilemat për liderin turk do të jenë të shumta tashmë, pasi çdo anashkalim i politikës ekonomike “ortodokse” të ndjekur nga ministri i Financave Simsek për të vijuar me përfitime dhe rritje pensionesh do të çonte sërish në rrëzimin e ekonomisë turke.

Dhe tani Erdogan konstaton se “recetat” që ai ka ndjekur në 22 vitet e fundit për të zbutur opozitën dhe gjithashtu pakënaqësinë e disa shtresave shoqërore, tashmë nuk bëjnë më punë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!