“Rrezikova në Rusi”, Mitaj flet për “aventurën” moskovite: Isha adoleshent kur erdha te Lokomotiva, por ia dola

schedule16:16 - 28 Mars, 2024

schedule 16:16 - 28 Mars, 2024

Pati shumë habi për këtë udhëtim. Mario Mitaj zgjodhi të luante në futbollin rus pikërisht në verën e 2022-it, pak muaj pas nisjes së sulmit të Rusisë në Ukrainë, në mes të luftës e të sanksioneve. Gjithsesi, futbolli kalon çdo kufi e pengesë, dhe mbrojtësi shqiptar, që ende nuk ishte 19 vjeç, u bashkua me Lokomotivën e Moskës.

Kanë kaluar gati dy vjet, ai është bërë lojtar stabël në ekip, në elitën ruse, dhe pas ndeshjeve miqësore të kombëtares, u bashkua me skuadrën në fazën përgatitore në Abu Dabi, nga ku dha një intervistë edhe për median ruse “Sport24”, ku fillimisht foli për kalimin e tij, në Rusi.

“Bisedimet për transferimin tim vazhduan dy muaj. Unë e dija situatën në Rusi, dhe mora informacione shtesë. Natyrisht, është e vështirë të krijosh idenë e duhur me anë të videove. Duhet të jetosh në një vend që ta njohësh atë. Padyshim, që ardhja ime në Rusi në 2022 pati rreziqet e veta. Për më tepër, nuk njihja gjuhën, ambientin, njerëzit. Veçse, nëse nuk rrezikon nuk ia vlen që të jetosh. Nuk ankohem aspak që erdha këtu. Dua të luaj sa më shumë tek Lokomotiv, dhe në të ardhmen të jem në një nga 5 ligat kryesore të Evropës”,- u shpreh Mitaj.

Më tej gjatë intervistës, gazetari rus, Tigran Harutyunyan, e pyet nëse është shqiptar apo grek.

“Unë jam shqiptar. Fakti që kam lindur në Greqi nuk më bën grek. Natyrisht unë kam atje shumë shokë, unë e di gjuhën greke, dhe e dua atë vend për mundësinë që më dha mua dhe familjes sime. Gjithsesi, atdheun tim, Shqipërinë, e dua më shumë. Unë jam patriot. Sa herë shoh flamurin shqiptar apo takohem me bashkëkombas të mi, ndihem shumë krenar”,- tha “ylli” i krahut të majtë.

Pasi flet për jetën në Moskë, me bukurinë dhe problemet, e për shokët e ekipit ku veçon sulmuesin Artem Dzyuba, që i ka ndenjur më afër, Mitaj flet për kombëtaren shqiptare.

“Nuk mund ta barazoj kualifikimin në Europian me asnjë sukses apo emocion tjetër në jetën time. Unë pashë gëzimin e miliona shqiptarëve. Ky është shpërblimi më i madh në jetë. Nuk e di nëse ne mund të quhemi heronj, por unë jam i lumtur që ne e bëmë gjithë atdheun tonë që të ndihet krenar”,- u shpreh “ylli” i “Legjionarëve” në fund të intervistës.

Ndërkaq, kujtojmë se të shumë janë ekipet që kërkojnë shërbimet e Mario Mitajt, teksa në merkaton e janarit “gjigantët” kroat të Dinamo Zagreb ishin të parët që u interesuan për të, mirëpo “barrikada”, 7 milionë euroshe e kërkuar nga ekipi rus ishte e përballueshme nga kroatët, teksa tashmë interes të lartë për të kanë shfaqur edhe “Bardhezinjtë” e Juventus. /i.m /abcnews.al