Napoli protestoi ashpër kundrejt trupës së arbitrave në ndeshjen kundër Atalantës. Ekipi të Carlo Ancelotti iu mohua një penallti e pastër dhe bergamaskët barazuan rezultatin në aksionin pasardhës.
Trajneri humbi qetësinë si rrallëherë dhe u ndëshkua me të kuqe, edhe pse ai dhe djemtë e tij kishin të gjithë të drejtën e botës për të protestuar.
Ancelotti u pezullua me një ndeshje, ndërsa Napoli ankimoi vendimin. Nënkampionët e Italisë shpresonin që ta kishin në pankinë trajnerin në ndeshjen e sotme kundër Romës në “Olimpico” (15:00).
Megjithatë, Gjykata Federale ka refuzuar kërkesën e Napolit. Pezullimi i Ancelottit është konfirmuar dhe në Napoli do të drejtohet sot nga një tjetër Ancelotti. Davide Ancelotti, i cili punon si ndihmës i babait të tij, do të jetë sot trajneri i parë i Napolit. /abcnews.al