Atentat mafioz prokurorit të Durrësit Arjan Ndoji, plagoset shoferi i tij dhe Landi Muharremi

schedule08:00 - 2 Nëntor, 2019

schedule 08:00 - 2 Nëntor, 2019

Prokurorit të Durrësit Arjan Ndoji i është bërë një atentat mafioz  tek mbikalimi i Shkozetit. Ai po udhëtonte me mjetin e tij në drejtim të Tiranës kur u qëllua me breshëri kallashnikovi nga autorë të paidentifikuar. Nga të shtënat u plagos vetë ai, shoferi i tij dhe një person me precedentë penale që ndodhej në mjet Landi Muharremi. Makina e autorëve u gjet e braktisur në një fshat të Ishmit.

Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoji i shpëtoi një atentati me armë. Mjetit të tij i është zënë pritë në orën 16:30  minuta të së premtes tek mbikalimi i Shkozetit nga autorë ende të paidentifikuar.

Në makinë ndodhej prokurori Arjan Ndoji, shoferi i tij  Andi Maloku dhe Aleksandër Laho, i njohur si Landi Muharremi.

Mësohet se atentatorët me dy automjete të ndryshme kanë lëvizur paralelisht me mjetin e prokurorit  me targa AA 333 ZD, kur kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të tyre. Shoferi humbi kontrollin e mjetit dhe përfundoi jashtë rruge.

Për pasojë mbeti i plagosur prokurori dhe dy personat që ishin në makinë.

Në këto pamje duket edhe momenti kur të lënduarit nxirren nga mjeti i sulmuar me breshëri kallashnikovi

Prokurori ka marrë vetëm dy plumba ndërsa shoferi i tij, Andi Maloku është qëlluar me 24 plumba.

Ky i fundit ne gjendje kritike për jetën u transportua në spitalin e Traumës në Tiranë.

Nga bluzat e bardha mësohet se ka dëmtime në kolonën kurrizore. Në spital i cili ruhet nga një gardh policësh shkoi zv/drejtori për rendin dhe sigurinë Dhimitraq Ziu.

Ndërsa Prokurori Ndoji dhe Aleksandër Laho janë nën kujdesin e mjekëve të spitalit të Durrësit. Prokurori është marrë në mbrojtje nga policia, ndërkohë efektivë të shumtë janë vendosur në hyrje dhe daljet e spitalit. Arjan Ndoji u vizitua edhe nga Donika Prela, e cila më herët ka punuar në të njëjtën prokurori me Ndojin. Policia e Durrësit qëndroi për disa orë tek mbikalimi i Shkozetit për të mbledhur të gjitha provat që mund të çojnë në identifikimin e atentatorëve.

Aty mbërriten edhe drejtues të lartë të policisë së shtetit dhe prokurorisë si kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe kryeprokurorja Arta Marku dhe drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela. Për zbardhjen e krimit mafioz është ngritur një grup i posaçëm hetimor nga departamenti i policisë kriminale, prokuroria e rrethit gjyqësor Durrës dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.

Dyshohet se atentati ka ndodhur për shkak të detyrës së prokurorit.

Disa orë pas ngjarjes është gjetur një mjet i braktisur tip Benz ngjyre gri në fshatin Shkafanë të Ishmit i cili dyshohet se i përket atentatorëve të prokurorit.

Në makinën e cila rezuilton të jetë vjedhur në kryeqytet janë gjetur armë të llojit kallashnikov dhe dy maska.

Ndërsa Land Muharremi njihet si një person me precedentë penalë në zonë e Shijakut.

48 vjeçari ishte ndaluar edhe  për dhunimin e biznesmenit libanez Fadi Mitri që do të kryente një investim të rëndësishëm në Durrës.

Kurse shoferi i prokurorit Andi Maloku ka qenë ish punonjës policie në Kruje dhe i hetuar më parë për disa konflikte. /abcnews.al

Gazetar: Andi Qosja