Drejtori i agjencisë ruse të sigurisë FSB, Alexander Bortnikov akuzon shërbimet speciale ukrainase se kanë ‘lehtësuar’ sulmin terrorist të së premtes në sallën e koncerteve Crocus City Hall në periferi të Moskës. Ai gjithashtu thotë se të përfshira janë edhe SHBA dhe Britania e Madhe, sipas Ria Novosti.
Bortnikov thotë se sulmi terrorist ishte përgatitur nga islamistët radikalë por me ndihmën e Ukrainës edhe në arratisjen e katër terroristëve. Sipas inteligjencës ruse “rezultatet paraprake të hetimit tregojnë për përfshirje të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe”.
“Ne besojmë se aksioni u përgatit nga vetë islamistët radikalë dhe natyrisht shërbimet e inteligjencës perëndimore kontribuan në këtë dhe vetë shërbimet e inteligjencës ukrainase janë të lidhura drejtpërdrejt me këtë,” theksoi kreu i FSB.
Sulmi në sallën e koncerteve Crocus City Hall në Krasnogorsk afër Moskës ndodhi mbrëmjen e 22 marsit. Katër persona hynë në ndërtesë dhe filluan të qëllojnë njerëzit me armë zjarri. Ata kanë vënë edhe zjarre në disa vende, për pasojë është shembur çatia dhe auditori është djegur plotësisht./abcnews.al