Pas rreth gjashtë muajsh kaos Kuvendi i rikthehet normalitetit.
Tre komisione parlamentare, ai i ligjeve, çështjeve europiane dhe çështjeve sociale e shëndetësisë iu jane kthyer mbledhjeve me prani fizike të deputetëve.
Kjo pas 15 marsit ku Partia Socialiste dhe Rithemelimi arritën nje marrëveshje për ngritjen e dy komisioneve hetimore, njëri për 2 koncesione në shëndetësi dhe tjetri për sistemin TIMS.
Në komsionin e ligjeve bie në sy prania e deputetëve pranë Sali Berishës, si Gazmend Bardhi, Dhurata Çupi apo Dashnor Sula, por mungonte Enkelejd Alibeaj, grupimi I te cilit eshte shprehur mosbesues per marreveshjen e arritur dhe e ka quajtur Pazar te Berishes me Ramen.
Opozitarja Jorida Tabaku drejtoi komisionin e çështjeve sociale ndërsa deputetë të rithemelimit dhe partisë së lirisë morën pjesë në diskutime ne mbledhjen e komisionit per çështjet sociale dhe shëndetësine.
Rikthimi i normalitetit në Parlament ishte temë e bisedës dhe në mbledhje e grupit parlamentar socialist e cila u zhvillua mëngjesin e të hënës në Kryesinë e Kuvendit.
Kryetari i grupit Bledi Çuci iu tha deputetëve se nuk ka asnjë marrëveshje e as do të krijohet ndonjë nënkomision ose strukturë e posaçme pas dakordësisë me Rithemelimin.
“S’ka asnjë nënkomision apo strukturë tjetër, thjesht në Komisionin e Ligjeve do të krijohet një mekanizëm dialogu për ligjet me 3/5 dhe ato që kanë lidhje me çështjet e integrimit europian. Opozita u rikthye andej nga kishte ikur. Ramë dakord të ndryshojmë objektet e komisioneve hetimore në Konferencën e Kryetarëve”
Në grupin e PS u diskutua për projektligjet e parashikuara në axhendën e seancës të së enjtes ku pritet të kalojë akti normativ për ndryshimet në ligjin e buxhetit, projektligji për sigurinë kibernetike dhe atë për Gardën e Republikës.
Kryesocialisti Edi Rama u fokusua në mbledhje kryesisht tek punët e partisë. Ai iu kërkoi deputetëve të vijojnë punën me organizatat socialiste në terren dhe të intensifikojnë komunikimin me qytetarët në çdo zonë.
Pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me kryetarin e Kuvendit Lindita Nikolla dhe ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja.
Nuk përjashtohet mundësia që në focus të bisedës të ketë qenë dhe amnistia penale e cila pritet të rikthehet në kalendarin e Kuvendit seancën e ardhshme.
Deri tani ajo ka mbetur peng I 84 votave. Mbetet për tu parë se si do të arrihet shumica e cilësuar në vijim, mes mazhorancës dhe PD apo mes mazhorancës dhe Rithemelimit.