Carlos Alcaraz ia doli të ruajë fronin në “Indian Wells” teksa në një finale që zgjati për më pak se dy orë (1 orë e 42 minuta), mposhti tenistin rus Daniil Medvedev (ashtu siç bënte edhe një vit më parë).
Tenisti nga Murcia hasi vështirësi vetëm në setin e parë aty ku pas shifrave 6-6, iu desh “tie-break” (5-7) për ta fituar.
Sa i takon setit të dytë, nuk pati më histori dhe numri dy i botës e mbylli me rezultatin 6-1 duke mos i lënë asnjë shans kundërshtarit rus.
Kështu, Alcaraz rikthehet të fitojë një turne pas Grand Slam-it të “Wimbledon” verën e shkuar duke lënë kështu pas krahëve edhe këtë periudhë me shumë ulje e ngritje.
Pas këtij suksesi, Alcaraz shndërrohet në tenistin e dytë që arrin të fitojë pesë tituj Masters 1000 para se të mbushë 21-vjeç, teksa i pari që ia ka dalë është idhulli i tij, Rafael Nadal.
Gjithashtu, Alcaraz është edhe tenisti i parë pas tetë vitesh që fiton dy tituj radhazi “Indian Wells”, teksa më parë këtë turne e kishte fituar tre herë radhazi Novak Djokovic në vitet 2014, 2015 dhe 2016./ h.ll/abcnews.al