Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, në fjalimin e fundvitit theksoi se do të punojë për të formuar sa më shpejt një qeveri të re. Gjithashtu nënvizoi edhe prioritetet e ekzekutivit të ardhshëm që do të drejtojë vendin.
Angela Merkel u zotua për t’i dhënë fund bllokimit politik tre mujor të Gjermanisë dhe për të formuar një qeveri të re sa më shpejt që të jetë e mundur, duke thënë në fjalimin tradicional të Vitit të Ri se “bota nuk do të presë Gjermaninë”. Gjermania është pa një qeveri të re që nga zgjedhjet në shtator, në të cilat blloku konservator i Merkel ka pësuar rezultatin më të keq që nga viti 1949 dhe Alternativa e djathtë për Gjermaninë hyri në Bundestag për herë të parë. Fillimisht partia e saj Unioni Kristiandemokrat tentoi një koalicion me liberalët dhe ambjentalistët, por dështoi në negociata.
Tashmë Shansi i fundit mbetet ringjallja e koalicionit të madh me Socialdemokratët e Martin Shulc. Bisedimet eksploratore mes këtyre partive pritet të fillojnë me 7 janar. Nëse nuk arrihet një marrëveshje, Gjermania mund të shkojë në zgjedhje përsëri.
Në fjalim Merkel pranoi një polarizim në rritje në shoqërinë gjermane, duke thënë se një “hendek” është hapur mes atyre që e panë atë si ekonomikisht të suksesshme, të larmishme dhe kozmopolite dhe atyre që nuk kishin përfituar nga bumi. “Të dyja janë realitete në vendin tonë: suksesi dhe besimi, por edhe frika dhe dyshimet. Të dyja këto janë një motivim për mua”, u shpreh ajo.
Në adresimin e fundvitit, Merkel vendosi prioritetet për çdo qeveri të re të mundshme, duke thënë se duhet të ofrojë lehtësime tatimore për familjet dhe të investojë më shumë në sistemin e kujdesit shëndetësor, komunitetet rurale dhe ligjin dhe rendin. Ajo gjithashtu bëri thirrje për solidaritet më të madh në BE, duke e identifikuar këtë si “çështjen vendimtare të viteve të ardhshme”./abcnews.al