Kreu i Kishës Ortodokse Bullgare, Patriarku Neofit, ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare.
Ai u kurua në Akademinë Mjekësore Ushtarake në Sofje për katër muaj për sëmundje të mushkërive, por nuk arriti t’ia dilte dot mbanë.
“Vëllezër dhe motra, më 13 mars 2024, pas një sëmundjeje të gjatë në Akademinë Mjekësore Ushtarake (VMA-Sofje) në orën 22:22, për shkak të dështimit të shumëfishtë të organeve, Shenjtëria e Tij Patriarku i Bullgarisë dhe Mitropoliti Neofit i Sofjes, patron i Kishës sonë të Shenjtë Ortodokse, ndërroi jetë”, thuhet në njoftimin e Sinodit të Shenjtë.
Në Bullgari besimtarët ortodoksë përbëjnë 85 për qind të 6.7 milionë banorëve. Patriarku Neofit drejtoi kishën për 11 vjet, duke pasuar Patriarkun Maksim, i cili drejtoi Kishën Ortodokse Bullgare gjatë periudhës së tranzicionit të trazuar nga komunizmi në demokraci.
Ai lindi në Sofje më 15 tetor 1945 me emrin laik Simeon Nikolov Dimitrov dhe u diplomua në Akademinë Teologjike në Sofje në vitin 1971. Ai mori emrin Neofit kur u bë murg në vitin 1975. Ai dha mësim këngën kishtare në Akademinë Teologjike, drejtoi korin dhe ishte rektor përpara se të bëhej peshkop në 1994.
Ai u zgjodh Patriark i Kishës Ortodokse Bullgare në shkurt 2013.
Patriarku Neofit priti Papa Françeskun në Sofje në vitin 2019, në një vizitë që u konsiderua si një kontribut për shkrirjen e marrëdhënieve të ftohta mes Kishës Ortodokse dhe Vatikanit./abcnews.al