Me sfidën e parë të përfunduar me rezultatin 1 me 1, “Katalanasit” e Barcelona do të kërkojnë mbrëmjen e së martës kualifikimin në çerekfinalet e UEFA Champions League, ku si kundërshtarë do të kenë kampionët në fuqi të Italisë, Napoli, ku padyshim objektivi kryesor është fitorja, për të arritur, për herë të parë që nga viti 2020, çerekfinalet e këtij kompeticioni.
Siç ndodh zakonisht, një ditë para sfidës u zhvillua edhe konferenca për shtyp, në kuadër të kësaj sfide, me teknikun e “Blaugranave”, Xavi Hernandez, i cili e konsideroi përballjen ndaj “Bluve” të Italisë, si më të rëndësishme e sezonit, teksa duhet kujtuar se trofeu i Champions League është trofeu i mbetur, ku “Katalanasit” kanë ende shanse të triumfojnë.
“Ndeshja më e rëndësishme e sezonit? Po, është, dhe ne jemi gati. U bënë 4 vite që nuk kemi qenë në çerekfinale dhe prandaj e shohim kështu. Ne jemi duke u përballur me një kundërshtar që edhe pse nuk janë në momentin më të mirë të sezonit, përsëri vijnë me petkun e kampionit të Seria A. Është një shans që nuk duhet humbur prandaj nuk dua justifikime”,- u shpreh tekniku Xavi.
Ndërkaq, duhen kujtuar edhe mungesat e mëdha, që shoqërojnë teknikun “Katalanas”, në këtë sfidë, ku përveç talentit të mesfushës, Gavi, tashmë në këtë repart i shtohen edhe mungesat e Pedri dhe Frenkie De Jong, teksa së fundmi është konfirmuar edhe mungesa e “fantazistit” të sulmit, Ferran Torres. /i.m /abcnews.al