Monika Kryemadhi e ftuar në Byro Politike mbrëmjen e sotme përballë gazetarëve Juli Xhokaxhi, Arion Sulo dhe Erl Murati deklaroi se Shqipëria është futur në një krizë të thellë ekonomike.
Sipas Kryemadhit pas 1 ose 2 muajsh pensionistët s’do munden dot të marrin pensionet e tyre dhe se aktualisht invalidët nuk i kanë marrë pensionet pasi arka e shtetit është bosh.
Kryemadhi gjithashtu tha se administrata shtetërore, drejtoritë arsimore dhe gjithë shëndetësia shqiptare kanë mbi 10 vjet qe nuk u janë derdhur kontributet.
“Kriza ekonomike që do të na vijë do të jetë më e rëndë se 97’. Do të jetë një kolaps i tmerrshëm për shqipërinë dhe shqiptarët. Mbi 600 mijë pensionistë nuk do të marrin dot pensionet e tyre, këtë do ta shihni pas 1 ose 2 muajsh. Janë mbi 600 milion euro të papaguara, të vjedhura ose të grabitura nga skema e kontributeve shoqërore. Gjithë drejtoritë arsimore, gjithë shëndetësia shqiptare dhe gjithë administrata shtetërore kanë mbi 10 vjet që nuk u janë paguar kontributet në skemën e sigurimeve shoqërore. Kolapsi ekonomik që po i vjen Shqipërisë është edhe për shkak të shqiptarëve që po largohen nga shqipëria. As invalidët nuk i kanë marrë pensionet dhe kjo është skandaloze. Borxhi do shkojë 100 %. Mjafton të hyni në tabelat e të ardhurave dhe do të shikoni se si doganat dhe tatimet në muajin shtator kanë qenë me minus 80 milion euro. Pyesni kryeministrin dhe ministrin e financave që tju japë një sqarim të tillë me fakte dhe dokumente”, deklaroi Kryemadhi./abcnews.al