Hezbollahu sulmon me raketa Izraelin

schedule15:43 - 10 Mars, 2024

schedule 15:43 - 10 Mars, 2024

Grupi militant Hezbollah në Liban më 10 mars tha se ka gjuajtur dhjetëra raketa në veri të Izraelit pasi sulmet izraelite një ditë më parë lanë të vrarë pesë persona në jug të Libanit, përfshirë tre anëtarë të grupit.

Hezbollahu, aleat i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe armik i Izraelit ka këmbyer zjarr pothuajse në baza ditore në kufi me Izraelin, që kur ka nisur lufta Izrael-Hamas më 7 tetor.

Hezbollahu tha se ka lëshuar “dhjetëra raketa” mëngjesin e së dielës në fshatin izraelit, Meron, që gjendet tetë kilometra nga kufiri.

Meron është shtëpi e një baze të madhe të kontrollit ajror dhe Hezbollahu, që mbështetet nga Irani, që nga fillimi i këtij viti e ka sulmuar këtë bazë disa herë.

Hezbollahu tha se veproi “në përgjigje të sulmeve izraelite kundër fshatrave në jug dhe shtëpive të civilëve”, veçanërisht duke shënjestruar një ditë më parë shtëpinë e një luftëtarit të Hezbollahut në Herbet Selm.

Një grua dhe një person tjetër u vranë në po atë sulm, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve në Liban.

“Pas lëshimit të sirenave në veri të Izraelit, afërsisht 30 raketa të hedhura nga Libani u identifikuan në territorin izraelit, një numër i të cilave u penguan”, tha ushtria izraelite të dielën.

Në njoftim u shtua se forcat ajrore izraelite goditën infrastrukturën e Hezbollahut gjaët natës, përfshirë “një strukturë ushtarake në të cilën u identifikuan terroristë të Hezbollahut në zonën e Hebert Selmit”.

Të paktën 312 persona janë vrarë në Liban që nga nisja e dhunës ndërkufitare më 8 tetor, shumica luftëtarë të Hezbollahut, por edhe 53 civilë, sipas të dhënave të grumbulluara nga AFP-ja.

Në anën izraelite, dhjetë ushtarë dhe shtatë civilë janë vrarë, sipas të dhënave të fundit zyrtare.

Dhjetëra mijëra persona janë zhvendosur nga luftimet në të dyja anët e kufirit./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!