Dy persona kanë përfunduar në prangat e policisë së Tiranës. Mësohet se ata vendosnin baste sportive përmes celularëve në dy lokale në Unazën e Re. Sakaq, raportohet se blutë i kanë sekuestruar celularët që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar “Games”.
Ushtronin veprimtarinë e paligjshme të vënies së basteve sportive, nëpërmjet celularëve, vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen, në cilësinë e provës materiale, celularët që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Games”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit 31 vjeç dhe 22 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në dy lokale në Unazë të Re, u konstatuan këta shtetas, në celularët e të cilëve, shërbimet e Policisë gjetën faqe dhe linqe që shërbenin për vënien e basteve sportive.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, celularët që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al