Analistja Besa Luzha, në një intervistë për emisionin “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku, komentoi marrëdhëniet e Kosovës dhe SHBA-ve, të cilat ndodhen në një pikë kritike për shkak të çështjes së dinarit serb. Ajo thotë se Kosova ka nevojë për aleatët ndërkombëtarë, sidomos SHBA-së.
Ajo deklaroi se qeveria ka reflektuar, ndonëse vonë. Analistja shtoi se Kosova, si një shtet i pavarur, ka të drejtë të marrë vendime në interes të shtetit, por duke u konsultuar me partnerët ndërkombëtarë pasi vetëm ata e nxjerrin vendin nga situata në të cilën futet si pasojë e veprimeve të qeverisë.
“Në Kosovë, çdo institucion, pa marrë parasysh kush është në qeverisje, nuk duhet të ndihet i turpëruar dhe anashkaluar nëse konsultohet me miqtë tanë, sidomos me SHBA. Kjo nuk do të thotë se nëse bashkëpunon, konsiderohesh si më pak i pavarur. Edhe shtetet e fuqishme si Gjermania konsultohen me aleatin e tyre sepse kur bëhet fjalë për çështje kaq të ndjeshme si të sigurisë, sidomos me luftën në Ukrainë, prandaj duhet me kuptuar drejt shqetësimin dhe ofruar bashkëpunimin. Mendoj se institiucionet tona kanë reflektuar, ndoshta është pak vonë në raport me pritjet që kanë pasur miqtë tanë por janë parë disa hapa që janë si reflektim ndaj kësaj çështje, duke marrë parasysh që po mundohet me informuar edhe qytetarët. Edhe vetë Banka Qendrore e pranoi në një farë mënyre një lloj shtyrje por duhet ta kuptojmë se në situata kaq të ndjeshme natyrisht që jemi shtet i pavarur dhe kemi të drejtë për të marrë vendime në interes të shtetit, por gjithmonë duke u konsultuar pasi pasojat e veprimeve tona po krijojnë situata nga të cilat nuk mund të dalim vetë pa ndihmën e aleatëve si një Banjskë.“, deklaroi ajo.
Duke u ndalur tek 8 Marsi, analistja tha:
“Në raport me të kaluarën, kemi arsye që të festojmë, kur e dimë që dekada më parë ka pasur shumë sfida gruaja shqiptare, edhe për shkoillim, punësim dhe liritë e saj. në raport me atë cka ka qenë para shumë vitesh, kemi arsye për të festuar sepse kemi vajza dhe gra që shkollohen, ndërmarrëse të mira, kemi një përfaqësim të respektueshëm në parlament por për cka nuk guxojmë të festojmë është gjendja e përgjithshme e gruas në Kosovë, sepse këto shifra sadopak pozitive, i shohim në një lloj mikropamje.” /abcnews.al