SHQIPËRI- Ritmi i rritjes së çmimeve është ngadalësuar ndjeshëm në shkurt. Sipas të dhënave të INSTAT indeksi i çmimeve të konsumit arriti në 2,6 % ndërkohë që një vit më parë ishte 7,1 %.Ulja është gati trefish në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në janar inflacioni u reduktua në 3.4 % në janar, nga 4% që ishte në 2023-shi.
Transporti është nëngrupi që ka vijuar të japë kontributin kryesor në uljen e nivelit të çmimeve në vend por vlen të theksohet që edhe nëngrupi i ushqimeve ka pësuar një ngadalësim të ndjeshëm krahasuar me muajt e mëparshëm.
Ky nivel i inflacionit ka zbritur nën objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3%.Ky është një sinjal pozitiv për ekonominë shqiptare pasi Banka e Shqipërisë mund të nisë tashmë një politikë të uljes së normës së interesit duke i bërë këstet e kredive më të lira për qytetarët dhe për bizneset.
Banka e Shqipërisë parashikonte që inflacioni do të kthehej në objektiv në fund të vitit 2024. Ulja e çmimeve në këto nivele është ndikuar nga ecuria e tij në Europë pasi produktet po blihen më lirë.
Po ashtu në favor të uljes së inflacionit ka qenë edhe dobësimi i euros, i cili ka qëndruar në muajt e parë të këtij viti shumë më poshtë në krahasim me vitet e shkuara./abcnews.al