Përshkallëzohet dhuna e bandave, Haiti zgjat gjendjen e jashtëzakonshme me një muaj

schedule09:14 - 8 Mars, 2024

schedule 09:14 - 8 Mars, 2024

Porti kryesor i Haitit pezulloi operacionet të enjten mes një përshkallëzimi të dhunës së bandave që detyroi autoritetet në vendin më të varfër të Karaibeve të zgjasin gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur gjatë fundjavës në Port-au-Prince për një muaj.

Bandat, të cilat kontrollojnë pjesën më të madhe të kryeqytetit dhe rrugët që të çojnë në pjesën tjetër të territorit, kanë sulmuar vende strategjike që nga java e kaluar në mungesë të kryeministrit de fakto Ariel Henri, duke kërkuar, si një pjesë e popullsisë, dorëheqjen e tij.

Kompania Caribbean Port Services, e cila menaxhon portin e kryeqytetit, njoftoi të enjten se po pezullonte funksionimin e saj për shkak të “trazirave”, duke përmendur “sabotazhin dhe vandalizmin” nga 1 marsi.

Gjendja e jashtëzakonshme dhe shtetrrethimi natën u shpallën të dielën pasi banda liruan rreth 4 mijë të burgosur nga burgjet. Ndër vendet strategjike të synuara nga kriminelët janë, përveç portit, gjykatat dhe komisariatet e policisë.

Një tjetër stacion policie u dogj të mërkurën mbrëma në Port-au-Prince, megjithatë anëtarët e forcave të zbatimit të ligjit arritën të largoheshin.

Sipas shifrave të policisë, që nga përshkallëzimi i krizës javën e kaluar, dhjetë ndërtesa policie janë shkatërruar dhe dy burgje, përfshirë më të madhin në vend, me shumicën e të burgosurve që kanë shpëtuar.

Kreu i fuqishëm i bandës Jimmy Serizier, i njohur ndryshe si “Barbecue”, kërcënoi të martën se nëse kryeministri Henri nuk largohet dhe komuniteti ndërkombëtar vazhdon ta mbështesë atë, Haiti prej rreth 11 milionë njerëzve do të zhytet në “luftë civile” dhe “gjenocid”.

Kryeministri de fakto, i cili duhej të linte detyrën në fillim të shkurtit, ishte në Kenia kur kriza u përshkallëzua dhe nuk ka mundur të kthehet në Haiti, kryesisht për shkak të mungesës së sigurisë rreth aeroportit ndërkombëtar të kryeqytetit.

/abcnews.al