Shqipëria zyrtarisht “Vendi i nderit” për panairin e Berlinit 2025

schedule13:48 - 6 Mars, 2024

schedule 13:48 - 6 Mars, 2024

Shqipëria është zyrtarisht vendi i nderit i panairit më të madh global të turizmit ITB-Berlin 2025.

Nga kryeqyteti gjerman, ku po zhvillohet dita e dytë e këtij panairi, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe CEO i “Messe Berlin”, Mario Tobias nënshkruan zyrtarisht marrëveshjen që e bën Shqpërinë “Host Country 2025”.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nis një program promovimi njëvjeçar që përfundon marsin e ardhshëm, i cili e kthen vendin tonë në epiqendrën dhe temën e eventit më të rëndësishëm botëror të turizmit dhe turoperatorëve që mbahet çdo vit në Berlin.
Kumbaro u shpreh e lumtur që organizatorët gjermanë ftuan Shqipërinë të ishte vendi i nderit për ITB Berlin, ndërsa Mario Tobias, CEO i Messe Berlin dhe Deborah Rothe, CEO e ITB Berlin vlerësuan paraqitjen e Shqipërisë në panair me një program të larmishëm.

Në edicionin e këtij viti Shqipëria merr pjesë me një koncept të ri të promovimit, me një ekip prej 26 turoperatorësh dhe 7 bashkish turistike që prezantojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse nën sloganin “Albania All Senses” potencialet, atraksionet dhe tregun shqiptar të turizmit.

Gjatë këtij edicioni të ITB-Berlin, u nënshkrua edhe një tjetër marrëveshje e rëndësishme për Shqipërinë. Ditën e djeshme, ministrja Mirela Kumbaro dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili firmosën marrëveshjen e organizimit të mbledhjes së 70-të të Komisionit për Evropën të UNWTO në Tiranë, në datat 7-9 prill.

UNWTO e renditi Shqipërinë të parën në Europë për rekuperimin e flukseve turistike gjatë vitit 2023, ndërsa gjatë dy muajve të parë të vitit 2024 vendi ynë u vizituar nga 1 milionë vizitorë të huaj, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!