Urgjenca për mjekë urgjence/ Pak studentë që kanë interes, tanimë pranime pa konkurs

schedule19:20 - 5 Mars, 2024

schedule 19:20 - 5 Mars, 2024

“Mjeku i urgjencës dhe mjeku i familjes janë dy specialitete të cilat mungojnë në sistemin tonë shëndetësor. Për këtë arsye Ministria e shëndetësisë ka vendosur që me hapjen e kuotave të reja në fund të muajit mars, pranimet ne këto dy specialitete të bëhen pa konkurs.”

Por pavarësisht heqjes së konkursit për këto dy specialitete dhe pagesës për specializantët në vlerën e 80 % të pagës së mjekut fillestar, shumë pak studentë që kanë mbaruar fakultetin e mjekësisë kanë interes të bëhen mjekë urgjence apo mjekë familjeje.

“Unë dua të specializohem për neurokirurgji. Tashmë që mjeku i familjes dhe mjeku i urgjencës do të jenë pa konkurs do e përzgjidhje? Mbase mjeke urgjence po, por mjeke familje jo? Mjeku i urgjencës ka më tepër adrenalinë dhe më tërheq.

Nuk e kam menduar se çfare dege do zgjedh. Asnjë nga këto dy specialitete nuk më tërheq. Sidomos mjek familjeje. Pse? Sepse në mjekësi kam aspirate më të mëdha se sa të jem thjesht mjek familjeje.”

Ky trend nuk është i momentit. Edhe në të shkuarën këto dy specialitete të mjekësisë kanë qenë ndër më pak të preferuarat. Në vitet 2022 dhe 2023 ka pasur nga 15 kuota për specializim për mjekë urgjence, por vetëm një student mjekësie e ka zgjedhur si degë. Po ashtu janë ofruar 30 kuota të lira për specializim për mjekë familjeje, por vetëm një mjek i ri ka zgjedhur këtë specialitet.

Me këto ritme, shumë shpejt do të ketë mangësi të mëdha për mjekë familjeje dhe për ata të urgjencës, ndonëse janë dy profile shumë të rëndësishme dhe të parat ku pacienti merr shërbimin e bluzave të bardha.

Shifrat tregojnë se profilet më të preferuara nga mjekët specializantë janë kardiologjia, kardiokirurgjia, endokrinolgjia, obstretikë – gjinekologjia si edhe dermatologjia./abcnews.al