“Duhet të përmirësohemi”, Arteta me “këmbë në tokë”: Tani luhet pjesa më e rëndësishme e sezonit

schedule14:56 - 5 Mars, 2024

schedule 14:56 - 5 Mars, 2024

Padyshim një garë spektakolare. “Topçinjtë” e Arsenal fituan me rezultatin tenisian, 0 me 6, ndaj “Shpatave” të Sheffield United, mbrëmjen e së hënës, që sapo lamë pas, duke u ngjitur në kuotën e 61 pikëve, në elitën e futbollit anglez, Premier League, duke u pozicionuar kështu, në vendin e 3-të, vetëm 1 pikë pas Manchester City të vendit të 2-të e 2 pas Liverpool, të vendit të parë.

Megjithatë, pavarësisht se mundën bindshëm, kundërshtarët, në “Bramall Lane”, pas sfidës tekniku spanjoll, Mikel Arteta u shfaq me këmbë në tokë duke theksuar se tani e mbrapa vjen pjesa më vendimtare e kampionatit dhe se skuadrës i duhet ende të përmirësohet për të thyer dominancën e “Të Kuqve”, të Jurgen Klopp e “Qytetarëve” të Manchester City.

“Për mua është një sinjal i shkëlqyer fakti që shënojmë shumë dhe nuk pësojmë, megjithatë e rëndësishme është të fitojmë çdo ndeshje. Kjo është ajo që jemi të detyruar përsa kohë Liverpool dhe City janë sipër nesh në renditje. Këto dy skuadra nuk po ndalen së fituara në gjashtë apo shtatë vitet e fundit.

Tani e në vijim luhet pjesa më e rëndësishme e sezonit, duhet të përmirësohemi. Nuk është momenti për t’u kënaqur dhe mua më pëlqejnë lojtarët që kërkojnë më shumë nga vetja”,- u shpreh strategu “iberik”, teksa tashmë “Topçinjtë” i presin tre sfida tejet të vështira, fillimisht ndaj Brentford, në “Emirates Stadium”, më pas ndaj Porto, në Champions League e më 31 mars do të përballen me “Qytetarët” e Manchester City. /i.m /abcnews.al