Gjata kërkon shkarkimin e Kajmakut

schedule15:27 - 29 Tetor, 2019

schedule 15:27 - 29 Tetor, 2019

Partia Demokratike i kërkon kryeministrit Rama të firmos menjëherë shkresën për shkarkimin e kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku pas fakteve të bëra publike për arrestimin e tij në Greqi. Sipas demokratëve, Kajmaku jo vetëm që duhet të largohet nga detyra por duhet t’i nënshtrohet edhe hetimeve për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.

Demokratët e cilësojnë të përmbushur betejën e tyre publike me Agim Kajmaku dhe tani i kërkojnë një gjest moral e politik kryeministrit Rama, për firmosjen e shkarkimit të kryebashkiakut të Vorës. Sekretari ligjor i demokratëve, Çlirim Gjata vuri përballë njëra-tjetrës deklaratat e gënjeshtërta të Kajmakut dhe konstatimet e Prokurorisë.

Si propozues të ligjit të dekriminalizimit, demokratët i kujtuan kryeministrit Rama edhe parashikimit në ligj për zyrtarët që nuk deklarojnë të dhëna të sakta.

Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka përfunduar hetimet për rastin e Agim Kajmakut duke konstatuar  se gjurmët e gishtërinjve që ndodhen në databazën e të dhënave kriminale në Greqi ka përputhshmëri të plotë me ato të shtetasit Jorgo Toto të arrestuar në vitin 2003 për falsifikim të kartmonedhave./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!