“Të shkojmë në zgjedhje të menjëhershme”, lideri i Laburistëve ndërron mendje

schedule14:20 - 29 Tetor, 2019

schedule 14:20 - 29 Tetor, 2019

Lideri i Partisë Laburiste Jeremy Corbyn deklaroi nisjen e menjëhershme të fushatës elektorale duke konfirmuar se pranon propozimin e kryeministrit Boris Johnson për zgjedhje të parakohshme në Britaninë e Madhe.

Kthesë e rëndësishme për sa i përket zgjedhjeve të parakohshme në Mbretërinë e Bashkuar në dhjetor për të thyer bllokadën e Brexit. Opozita laburiste, pas refuzimit të një dite më parë për të mbështetur për herë të tretë mocionin e shpërndarjes së parlamentit nga qeveria konservatore e Boris Johnson, vendosi të mbështesë idenë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Lajmi u publikua nga BBC dhe pse nuk janë të qarta kushtet që do të ketë lideri i laburistëve Corbyn. Vendimi u konfirmua nga vetë ai që foli në emër të partisë së tij për sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të menjëhershme.

Korbin tha se vazhdimisht kishte deklaruar se është gati për zgjedhje me kusht që një Brexit pa marrëveshje të jetë jashtë tryezës së negociatave. Lideri i Laburistëve u shpreh se me shtyrjen e miratuar nga Bashkimi Europian deri në 31 Janar 2020, kushti i tij ishte plotësuar.

Corbyn theksoi se do të nisë fushatën më radikale të ndryshimit të vendit që është parë ndonjëherë./ABC News Albania