Pep Guardiola mori drejtimin e Barcelonës në vitin 2008 pas një viti që kishte kaluar në drejtimin e ekipit B. Trajneri spanjoll pati guximin dhe fatin për të aplikuar futbollin e tij ultra ofensiv në një skuadër të mbushur plot yje, me në krye Leo Messin.
Trajneri fitoi gjithçka në 4 vite që drejtoi ekipin katalanas. 48-vjeçari i është rikthyer fillimeve dhe njohjes me Messin në një prononcim për Catalunya Radio, aty ku zbulon takimin e parë me futbollistin më të mirë në planet.
“Një nga lojtarët më kishte thënë që në ekip ishte një lojtar me të vërtetë shumë i fortë. Më kishin treguar se ishte një lojtar i vogël, i cili shënonte pafund dhe kishte një driblim spektakolar. Nuk e njihja ende, teksa një ditë u takuam në një dyqan të Nike.
E pashë me vëmendje, ishte kaq i vogël dhe i turpshëm. ‘Ky është futbollisti për të cilin më kanë folur aq shumë?’, po mendoja me vete. E nisëm sezonin në Skoci dhe fituam 0-5 ose 1-6 me tre gola të Messit. Në atë moment e kuptova që do të kishim fituar gjithçka“, përfundon Pep Guardiola. /abcnews.al