Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, përmes një video-mesazhi uron Vitin e Ri 2018 për të gjithë kontribuuesit për reformimin e arsimit shqiptar.
2018-a do të jetë viti i reformave të mësuesisë. Premtimin ministrja e arsimit sportit dhe rinisë e bëri bashkëngjitur me urimin e saj për festën e ndrrimit të viteve.
“Të dashur mësues, viti 2018 do të jetë viti i reformave të mësuesisë. Së bashku me fakultetet e edukimit, ne do të startojmë një nismë të re që mundëson mësues cilësorë për arsimin që duam. Do të ketë më shumë mbështetje për kualifikim cilësor për ju, do të dyfishojmë mësuesin ndihmës që asiston çdo fëmijë me aftësi ndryshe, e padyshim do të vijojmë përmbushjen e detyrimit tonë për rritjen e pagave tuaja”.
Ministrja Nikolla premtoi edhe modernizimin e kurrikulave në fakultete dhe përshtatjen me tregun e punës.
Të dashur pedagogë, ky është një vit që ju do të punoni edhe më me përkushtim për të përmbushur çdo rekomandim që la akreditimi institucional i bërë ndërkombëtarisht, e sigurisht më shumë punë e forcë për të modernizuar kurrikulat, për t’i përshtatur ato me tregun e punës dhe për t’ua bërë më të suksesshëm punësimin çdo të riu e të reje, që del nga bankat dhe auditorët e universiteteve tona.
Krenaria për sportistët që sollën në Shqipëri medalje e thyen rekorde, do të përkthehet gjatë këtij viti të ri edhe me më shumë mbështetje dhe mundësi për të rinjtë shqiptarë u shpreh ministrja e arsimit. Urimi I saj I fundit shkon për të gjithë mësuesit e pedagogët.
“Krenare për të gjithë ju, të dashur kolegë mësues, të nderuar e të dashur pedagog, keni qenë mbështetja ime më e madhe, me këshillat e vyera por edhe me kritikat racionale.
Faleminderit!
Dollia ime e parë shkon për ju. Gëzuar një vit të mbarë e plot suksese!”./abcnews.al