Samiti për Ukrainën, Vuçiç në Tiranë: Do t’i përmbahem parimeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë

schedule11:52 - 28 Shkurt, 2024

schedule 11:52 - 28 Shkurt, 2024

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi në Tiranë, teksa mbërriti në Samitin për Ukrainën, se ka disa propozime në lidhje me një deklaratë për sanksione ndaj Rusisë.

Vuçiç u shpreh se Serbia do t’i përmbahet parimeve të miratuara nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Serbisë, dy vite më parë.

“Ne kemi disa propozime për një deklaratë, do të shohim… E vetmja gjë që mund të them është se do t’i përmbahem parimeve të miratuara nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Republikës së Serbisë dy vjet më parë,” u tha Vuçiç gazetarëve.

Këtë të mërkurë, në Tiranë mbahet samiti për Ukrainën. I pranishëm do të jetë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili mbërriti në kryeqytet në orët e vona të mbrëmjes të së martës. Ai u prit në aeroportin e Rinasit nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Para nisjes së samitit, Zelensky u prit nga kreu i qeverisë Edi Rama në Kryeministri. Rama dhe Zelensky zhilluan një takim kokë më kokë. Më pas, do të vijojë një takim mes delegacioneve respektive që do të mbyllet me nënshkrimin e një marrëveshjeje mes dy vendeve.

Rama dhe Zelensky do të hapin samitin në Pallatin e Kongreseve, me një fjalim, ndërsa më pas punimet do të jenë me dyer të mbyllura. Është parashikuar një konferencë për shtyp e Ramës dhe Zelenskyt, ku do t’ju përgjigjen interesit të gazetarëve./abcnews.al