Një dyqan në Moravë të Korçës është grabitur pasditen e së dielës nga dy persona të maskuar. Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:45, ku dy personat e maskuar kanë hyrë brenda minimarketit në qendër të këtij fshati duke kërcënuar pronarin Demirali Bylykbashin dhe duke i marrë xhiron ditore.
Bylykbashi nuk ka bërë rezistencë dhe u ka kërkuar grabitësve të cilët kishin një pushkë të marrin çfarë të duan. Në këto kushte, grabitësit me një thes në dorë kanë marrë të gjitha paketat e cigareve, sende të tjera dhe xhiron ditore. Gazetari Roland Beqiraj raporton se bëhet fjalë për rreth 20 mijë lekë të reja.
Policia në vendin e ngjarjes po heton për zbardhjen e kësaj grabitje ndërkohë që forca të tjera janë duke krehur gjithë zonën për gjetjen e autorëve.
“Dy persona të maskuar janë futur në një dyqan ku nën kërcënimin e armës i kanë kërkuar shitësit të boshatisë arkën. Sipas deklarimeve të para, ka dorëzuar ditoren që arrinte tek 20 mijë lekë të reja dhe kanë marrë disa paketa cigaresh. Grabitësit duket se i njihnin rrugicat mirë dhe janë larguar. Policia ka ngritur disa patrulla në fshatin Moravë”, raportoi gazetari./abcnews.al