Procedohen policët e Kavajës

schedule16:40 - 28 Tetor, 2019

schedule 16:40 - 28 Tetor, 2019

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), ka proceduar penalisht tre policë në Kavajë, pas një procedimi penal nisur disa muaj më parë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë.

Ata akuzohen për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se lejuan ndërtime pa leje në Kavajë e falsifikuan dokumente.

Në pranga kanë rënë:

– F.Gj., me detyrë Operatore pranë Zyrës së Shërbimit për Qytetarët në Komisariatin e Policisë Kavajë, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, si person i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”. Ajo dyshohet se duke keqpërdorur atributet që i jepte detyra në këtë funksion, në kundërshtim me ligjin, favorizonte shtetas të ndryshëm gjatë përpilimit të dokumentacionit për pajisjen me pasaportë dhe ndërhynte për favorizime të ndryshme në sferën e ndërtimeve pa leje.

– Inspektor F.H., me detyrë Ndihmës/specialist për Policimin në Komunitet në Komisariatin e Policisë Kavajë, me masë sigurimi “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Ai dyshohet se në mospërmbushje të detyrës ka lejuar dhe nuk ka raportuar ndërtimet pa leje.

– Inspektor S.B., me detyrë Ndihmës/specialist për Policimin në Komunitet në Komisariatin e Policisë Kavajë, me masë sigurimi “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Ai dyshohet se në mospërmbushje të rregullt të detyrës, ka lejuar dhe nuk ka raportuar ndërtimet pa leje./abcnews.al