“Babanë e vrava unë”/ Zbardhet dëshmia e djalit: Ishte bërë i padurueshëm, e groposëm në kasolle

schedule09:53 - 24 Shkurt, 2024

schedule 09:53 - 24 Shkurt, 2024

24-vjeçari Hysen Meta, i arrestuar për vrasjen e të atit në Shën Vlash të Durrësit tha ka pranuar para policisë se ai kishte qëlluar me arme mbi babanë në shtëpinë e tyre.

“Po unë e qëllova. Debatuam keq. Ishin edhe anëtarët e tjerë të familjes në shtëpi. Nuk ishte hera e parë që ziheshim, aty u mbush kupa. Mora pistoletën dhe e qëllova, nuk më kujtohet se sa herë.”

Hysen Meta, ka treguar edhe mënyrën se si bashkë me vëllain dhe motrën e kanë marrë trupin e pajetë të babai të tyre dhe e kanë groposur.

“Kur ikte ai në punë ne në familje thonim gjithmonë se na nxiu jetën dhe nuk jetohet me këtë. Pasi e qëllova për vdekje, dhoma u mbulua me gjak. Bashkë me motrën dhe vëllain e mbështollëm me plasmas që të mos rridhte më gjak. Më pas hapëm një gropë brenda në kasolle që të mos na shikonin. Gjatë natës e futëm trupin në gropë”

Djali i madh i familjes pa shfaqur shenja pendese, ka treguar se pas vrasjes planifikuan edhe atë se çfarë do të thonin në polici. I riu thotë se shkak i sherri ishte martesa që donte t’i bënte motrës pa dëshirën e saj.

“E morëm makinën dy ditë më pas dhe e çuam tek sektori Rinia. Pastaj shkuam në polici dhe thamë është zhdukur babai. Donte ta merrte përsipër motra këtë krim se në një farë mënyrë sherri nisi për të. Unë nuk jam penduar dhe e marr përsipër autorësinë e krimit. Më vjen keq vetëm për motrën dhe vëllain se nuk kanë asnjë faj ata.”

Për vrasjen e Pëllumb Metës janë arrestuar 3 fëmijët e tij, ndërsa bashkëshortja e viktimës po hetohet në gjendje të lirë, e cila është marrë në mbrojtje nga Policia e Durrësit. Blerina Meta nuk është lejuar të merrte pjesë në ceremoninë mortore të burrit të saj, për të shmangur ndonjë konflikt të mundshëm mes vëllezërve të Pëllumbit. Mësohet se Blerina u shoqërua nga policia e Durrësit deri në familjen e babait të saj në Laç.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!