Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca dhe Gjermania, i shprehën mbështetje të enjten kryeministrit holandez në largim Mark Rutte, për të pasuar norvegjezin Jens Stoltenberg në postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s.
Pasardhësi i zotit Stoltenberg, që largohet në tetor, do të marrë detyrën në një periudhë vendimtare të ngarkuar me vazhdimin e mbështetjes së kushtueshme të të NATO-s për mbrojtjen e Ukrainës kundër agresionit rus dhe shpagues së çdo përshkallëzimi që do të mund ta vinte aleancën drejtpërdrejt në një luftë me Moskën.
Shtetet e Bashkuara mbështesin kandidimin e kryeministrit holandez në largim Mark Rutte për të pasuar z. Jens Stoltenberg në krye të NATO-s, tha të enjten John Kirby, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.
Varësisht nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në Shtetet e Bashkuara, shefit të ardhshëm të NATO-s mund t’i duhet të përballet me një mandat të dytë të ish presidentit Donald Trump, i cili nxiti kritika të ashpra të zyrtarëve perëndimorë në fillim të këtij muaji, pasi vuri në pikëpyetje angazhimin e tij për të mbrojtur aleatët e NATO-s nëse rizgjedhet.
E themeluar në vitin 1949 për t’iu kundërvënë Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, NATO-ja është një aleancë politike dhe ushtarake e vendeve nga Amerika e Veriut dhe Evropa.
Në nenin 5 të traktatit themelues të NATO-s është mishëruar parimi i mbrojtjes kolektive sipas të cilit një sulm ndaj një anëtari konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve.
Udhëheqësit e NATO-s emërohen me konsensus, që do të thotë se të gjitha vendet anëtare duhet të pajtohen. Aleanca aktualisht ka 31 vende anëtare me Suedinë që pret të bashkohet së shpejti.
Diplomatët thonë se zoti Rutte është i vetmi kandidat zyrtar për postin në garën që zhvillohet prapaskenave, megjithëse disa thanë se emri i presidentit rumun Klaus Iohannis, ishte hedhur gjithashtu në diskutime jozyrtare kohët e fundit.
Por, me mbështetjen e Uashingtonit, që është fuqia mbizotëruese e aleancës dhe tre kombeve të mëdha evropiane si dhe rreth 16 anëtarëve të tjerë të NATO-s, zoti Rutte sipas diplomatëve është në një pozicion të fortë dhe çdo rival do të përballet me një betejë të vështirë.
Udhëheqësi i Holandës, 57-vjeçari Mark Rutte, ka pasur marrëdhënie të mira me udhëheqës të ndryshëm britanikë, të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, përfshirë zotin Trump gjatë mandatit të tij.
Në fundjavë, zoti Rutte u kërkoi udhëheqësve evropianë që t’u japin fund “ankesave” për zotin Trump dhe në vend të kësaj të përqendrohen në atë që mund të bëjnë për të forcuar mbrojtjen dhe për të ndihmuar Ukrainën.
Duke mbështetur zotin Rutte, ministria e Jashtme britanike tha se ai është një personalitet i respektuar në të gjithë NATO-n, me kredenciale serioze të mbrojtjes dhe sigurisë, i cili do të siguronte që ajo të mbetej e fortë dhe e përgatitur për çdo nevojë për t’u mbrojtur.
Një zyrtar i lartë francez tha se presidenti Emmanuel Macron kishte qenë një mbështetës i hershëm i emërimit të holandezit në këtë post, një ide së cilës i kishte dhënë zë vitin e kaluar.
Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se zoti Rutte e ka mbështetjen e Berlinit, duke e çmuat atë si “një kandidat të jashtëzakonshëm”.
Megjithatë, një diplomat i lartë paralajmëroi se ende nuk është arritur një marrëveshje.
Polonia, një fuqi ushtarake në rritje në Evropë, nuk ka ende asnjë qëndrim, tha një zëdhënës i ministrisë së jashtme. Gjithashtu nuk pati asnjë fjalë nga Hungaria dhe Turqia, të cilat konsiderohen nga disa diplomatë si pengesa të mundshme për zotin Rutte.
Jens Stoltenberg, ish kryeministër i Norvegjisë, shërben si shef i NATO-s që nga viti 2014.
Kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas dhe ministri i Jashtëm Letonez Krisjanis Karins, kanë sinjalizuar gjithashtu interesim për postin kryesor të NATO-s, por nuk janë paraqitur zyrtarisht si kandidatë, thonë diplomatët./VOA