Besimi i publikut në Kosovë ndaj institucioneve brenda sistemit të drejtësisë në vend nuk ka qenë asnjëherë në nivelin me të ulët se tani, thanë për Evropën e Lirë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, të cilat mbikëqyrin punën e institucioneve të drejtësisë.
Përfaqësues të organizatave joqeveritare në Kosovë thanë humbja e besimit të publikut ndaj institucioneve të drejtësisë në Kosovë është rezultat i faktit që për rastet më të rëndësishme, për të cilat ka pasur interes publik, organet e drejtësisë, policia, prokuroria dhe gjykatat, kanë dështuar të japin zgjidhje dhe të vënë drejtësi.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha për Evropën e Lirë, se në të kaluarën ka pasur disa raste, të cilat kanë cenuar besimin e publikut ndaj sistemit të drejtësisë, qoftë vdekje në rrethana kontestuese, qoftë vepra penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por rasti i vdekjes së Astrit Deharit, më 5 nëntor 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, është rasti i fundit konkret që tregon brishtësinë e sistemit të drejtësisë në Kosovë, i cili nuk ishte në gjendje të ofronte një hetim të pavarur që do të sillte drejtësi, por edhe garanci dhe besim te publiku. Zoti Miftaraj përmendi si shembull te keq që çon në humbjen edhe më tej të besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, reagimin e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ka thënë se do të kërkojë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të trajtuar rastin Dehari. Ai e cilësoi vetëvrasje të sistemit të drejtësisë faktin që kryeprokurori i shtetit kërkon ndihmë nga një shtet tjetër, ndërkohë që ka brenda sistemit rreth 200 prokurorë.
Ndërsa Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, theksoi se bazuar në matjet vjetore të perceptimit të qytetarëve që bëhen nga ky grup, natyra dhe llojet e rasteve që ndikojnë në nivelin e ulët të besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, janë kryesisht të natyrës së korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimi parave dhe të tjera. Në disa raste, siç thotë ajo, janë parë kontradiktat ndërmjet gjykatave të shkallëve të ndryshme, ku Gjykata Supreme ka konstatuar shkelje nga Gjykata e Apelit. Faktor tjetër që ndikon në uljen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, është edhe trajtimi që u është bërë rasteve, si “Pronto”, rasti “Vizat”, “Tokat” dhe të tjera. Të gjitha këto raste karakterizohen nga zvarritjet dhe trajtim jo të duhur nga institucionet shtetërore.
Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, i këtij viti, shpreh shqetësimin për ndikimin e politikës në sistemin e drejtësisë, si dhe nivelin e lartë të përhapjes së korrupsionit. Sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, ky raport ka konfirmuar që sistemi i drejtësisë në Kosovë mbetet në fazë elementare të zhvillimit dhe që mundësia për të qenë efektiv në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet e vogël. /ABC news Albania 24/7