Ministria e Jashtme italiane ka thirrur ambasadorin rus, Aleksej Paramonov në lidhje me vdekjen e Alexei Navalny, i cili ndërroi jetë në rrethana misterioze javën e kaluar në një burg në Arktik. Ministria italiane tha në një deklaratë se pret që të ketë një qartësi të plotë në lidhje me këtë ngjarje nga Rusia.
Por ambasada ruse në Itali ka deklaruar se vdekja e Navalny është një çështje e brendshme që ka të bëjë vetëm me Rusinë, e cila po kryen vlerësimet dhe hetimet e nevojshme për të identifikuar shkaqet e vërteta.
“Ambasadorit i janë shprehur disa vlerësime të njëanshme politikisht për situatën e brendshme politike ruse. U nënvizua se përpjekjet perëndimore për të shfrytëzuar politikisht vdekjen e Navalny, si dhe për të ngritur akuza të llojeve të ndryshme kundër Moskës, janë të padobishme dhe të papranueshme“, thuhet në deklaratë./abcnews.al