Gjysmë shekulli më vonë, Kili do të përpiqet edhe një herë të zbulojë misterin e vdekjes, në vitin 1973, të poetit nobelist Pablo Neruda, i cili mund të jetë helmuar, pak ditë pas grushtit të shtetit të Augusto Pinochet.
Gjykata e Apelit e Santiagos urdhëroi këtë të martë rihapjen e dosjes “për të kryer siç duhet procedurat” e kërkuara nga paditësit, të cilat sipas vendimit të saj “mund të zbardhin faktet”.
Rifillimin e hetimeve e kishin kërkuar të afërmit e poetit, mes të cilëve edhe një nga nipat e tij, si dhe Partia Komuniste, anëtar i së cilës ishte Neruda.
Vendimi i Gjykatës së Apelit anulon urdhrin e gjyqtares Paola Plasa për mbylljen e hetimeve për shkaqet e vdekjes së poetit, i cili u nderua me Çmimin Nobel për Letërsinë në vitin 1971.
Pablo Neruda vdiq më 23 shtator 1973, dymbëdhjetë ditë pas grushtit të shtetit të gjeneralit Pinochet dhe rrëzimit të presidentit socialist të Kilit, Salvador Allende, një mik i ngushtë i poetit. Rasti i vrasjes së tij u shfaq në vitin 2011, pas zbulimeve të bëra nga Manuel Araya, i cili në atë kohë ishte një anëtar i ri i Partisë Komuniste dhe punonte si ndihmës dhe udhërrëfyes i autorit. Sipas kësaj teorie, Neruda vdiq pasi mori një injeksion në prag të nisjes së tij për në Meksikë, ku synonte të mërgohej për të organizuar rezistencën ndaj regjimit të Pinochet.
Deri në atë kohë, versioni zyrtar thoshte se poeti vdiq nga kanceri i prostatës.
Gjykata e Apelit kërkoi gjithashtu një “analizë të re të certifikatës së vdekjes të nënshkruar nga Dr. Vargas Salazar, ku thuhet se Neruda vdiq nga metastaza e kancerit të prostatës. Për të dëshmuar janë thirrur edhe dëshmitarë të rinj dhe një ekspert i bakterit ‘clostridium botulinum’./abcnews.al