Jeta e Arbenita Surdullit është një histori force, sakrifice dhe dashurie të pakushtëzuar për fëmijët. Sot 42 vjeç, ajo është nënë e katër fëmijëve dhe prej vitesh jeton në Gjermani, ku vazhdon betejën e përditshme për shëndetin e djalit të saj, Leos. Arbenita u bë nënë për herë të parë në moshën 16-vjeçare. Mes sfidave të jetës, ajo ndërtoi familjen e saj dhe punoi për 10 vite si bankiere në Kosovë. Por sprova më e madhe do të vinte me shtatzëninë e tretë.
Ajo priste binjakë dhe mjekët i dhanë një lajm tronditës: njëri prej foshnjave kishte shumë pak shanse për të jetuar. Madje, sipas tyre, vazhdimi i shtatzënisë rrezikonte edhe jetën e saj.
“Refuzova ta hiqja. Ishte fëmija im dhe do të luftoja për të deri në fund”, rrëfen ajo. Binjakët erdhën në jetë para kohe, në muajin e gjashtë të shtatzënisë. Njëri prej tyre ishte i shëndetshëm, ndërsa Leo nisi menjëherë një betejë të vështirë për mbijetesë. Ai u intubua, kaloi infeksione të rënda dhe qëndroi për muaj të tërë mes jetës dhe vdekjes.
Pesë muaj në klinikë, net pa gjumë dhe ankthi i përhershëm u bënë pjesë e përditshmërisë së Arbenitës. Leo u përball me gjakderdhje në tru, paralizë cerebrale dhe probleme serioze shëndetësore që kërkonin ndërhyrje të specializuara.
Në kërkim të shpresës, ajo mori vendimin më të vështirë të jetës: u largua drejt Gjermanisë vetëm me Leon dhe binjakun e tij, duke lënë pas përkohësisht dy fëmijët e mëdhenj.
“Nuk munda t’i merrja të gjithë me vete. Ishte plagë e madhe për mua si nënë, por e bëra vetëm për të shpëtuar Leon”, tregon ajo. Pas shumë vitesh sakrifice, vajza iu bashkua në Gjermani, ndërsa familja vazhdoi të qëndronte e bashkuar pavarësisht distancave dhe vështirësive.
Në të njëjtën kohë, Arbenita u përball edhe me fundin e martesës së saj. Por divorci, thotë ajo, nuk e theu. “Divorci nuk më shkatërroi. Përkundrazi, më bëri më të fortë. Vetëm kur erdha në Gjermani arrita të vendos vetë për fatin tim.” Sot, Leo është 13 vjeç. Ai ende përballet me sfida shëndetësore, fle me aparat oksigjeni dhe vazhdon trajtimet, por rreziku për jetën tashmë ka kaluar. Ai e do futbollin, ka pasion jetën sociale dhe ëndërron të jetojë si çdo fëmijë tjetër.
Një nga momentet më prekëse në familjen e tyre lidhet me flokët e binjakëve. Për vite me radhë, Arbenita kishte bërë një premtim: nuk do t’ua priste flokët djemve derisa Leo të shërohej plotësisht. Por binjakët kishin një dëshirë tjetër. Ata vendosën t’i prisnin flokët dhe t’i dhuronin për fëmijët e prekur nga leucemia.
“Për mua flokët ishin simbol i shpresës dhe i betimit tim. Por kur pashë zemrën e madhe të djemve të mi, e pranova menjëherë dëshirën e tyre.”
Sot, në ato flokë të dhuruara gjenden bashkë premtimi i një nëne dhe zemra e madhe e dy djemve që menduan për fëmijët e tjerë në nevojë. Historia e Arbenita Surdullit është dëshmia se dashuria e një nëne mund të sfidojë çdo pengesë. Sëmundja, largësia, divorci dhe sakrificat nuk arritën ta ndalin atë. Sepse për Arbenitën ekziston vetëm një mision: t’u japë fëmijëve të saj jetën dhe shpresën që meritojnë. “Unë do të jap gjithçka që Leo të jetë dhe të bëhet si gjithë të tjerët.”



