Franca po kërkon një hetim të pavarur dhe të plotë për vdekjen në burg të disidentit rus Alexei Navalny, për të cilin ka akuzuar autoritetet ruse.
“Autoritetet ruse janë plotësisht përgjegjëse për vdekjen e Alexei Navalny, kushtet e paraburgimit të të cilit ishin përkeqësuar shumë pas transferimit të tij në një koloni penale dhe kërkon një hetim të pavarur dhe të plotë për vdekjen e tij”, tha ministria e Jashtme në një deklaratë.
Disidenti dhe rivali numër një i Presidentit Vladimir Putin vdiq të premten e kaluar, më 16 shkurt në moshën 47-vjeçare në një burg në Arktik ku po vuante një dënim 19-vjeçar pasi u kthye në Rusi në fillim të vitit 2021, duke shkaktuar një protestë globale.
Franca thirri ditën e djeshme, ambasadorin e Rusisë.
Franca “bën thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë të burgosurve politikë në Rusi dhe veçanërisht shpreh shqetësimin e saj për gjendjen kritike shëndetësore të liderit të opozitës Vladimir Kara-Murza, i cili u dënua vitin e kaluar me 25 vjet burg, theksoi zëdhënësi francez.
Figura e opozitës gati vdiq pasi u helmua dy herë në 2015 dhe 2017, tentativa për vrasje që ai ia atribuoi pushtetit rus.
/abcnews.al